Çmimet e naftës janë rritur sërish më shumë se 4%, ndërsa konflikti Rusi-Ukrainë po vijon të përshkallëzohet, me presidentin rus Vladimir Putin që paralajmëroi për një konflikt global.

Nafta në bursën amerikane u rrit me 0.34%, në 70.44 dollarë për fuçi, ndërsa në bursën e Londrës u rrit me 17 cent, ose 0.32%, në 74.55 dollarë për fuçi. Rritja sipas ekspertëve vjen nën sfondin e shumë ndryshimeve, përfshirë politikën amerikane dhe vendimin e Britanisë për t’i lejuar Ukrainës të përdorë armë me rreze të gjatë veprimi për të goditur brenda territorit rus.

Putin paralajmëroi të enjten se Rusia kishte hedhur një raketë të re balistike në Ukrainë duke rritur rrezikun e ndërprerjes së furnizimit me naftë nga një prej prodhuesve më të mëdhenj në botë.

Për ekspertët nafta mund të vijojë të rritet në rreth 85 dollarë për fuçi në gjysmën e parë të 2025. Disa analistë parashikojnë një rritje tjetër javës së ardhshme dhe kjo do të ketë implikime negative si për naftën e papërpunuar ashtu edhe për produktet kryesore.

Nga ana tjetër importuesi më i madh në botë i naftës së papërpunuar, Kina njoftoi masa politike të enjten për të nxitur tregtinë, duke përfshirë mbështetjen për importet e produkteve të energjisë, mes shqetësimeve nga kërcënimet e Trump për të vendosur tarifa.

Klan News