Sekretari Organizativ i Partisë së Lirisë, Artemis Peca ka qenë një nga dëshmitarët e momentit të arrestimit të ish-Presidentit, pasi po drejtonte automjetin ku gjendej Ilir Meta.
“Pashë një makinë që po na afrohej. Nuk kishin asnjë uniformë, na bënë presion, na terrorizuan. Menduam se po grabisin, për momentin menduam se po na grabisin. Nuk kishin asnjë vendim”.
Në konferencën për mediat, Peca tha se u nxorrën me forcë nga makina nga ana e forcave të policisë dhe se sipas tij, ish-presidenti nuk bëri rezistencë.
“Ilir Meta nuk pati fare rezistencë, ata në asnjë moment nuk dëgjonin fjalët e zotit Meta. Na tërhoqën zvarrë”.
Edhe avokati mbrojtës i Metës, Genci Gjokutaj, i cili e takoi në ambientet e policisë, e konsideroi arrestimin e tij banditesk.
Sekretari i Përgjithshëm i Partisë së Lirisë, Tedi Blushi e cilëson këtë arrestim si një akt terrorist dhe si një shpallje lufte ndaj opozitës.
Blushi duke e cilësuar si operacion mafioz ndalimin e Metës, tha se do t’i publikojë me foto punonjësit e policisë që sipas tij dhunuan presidentin e Partisë së Lirisë.
Tv Klan