Një nëpunës i Gjendjes Civile të Koplikut në Malësinë e Madhe dhe ish-drejtori i shkollës së mesme pyjore në Shkodër janë arrestuar në dy raste të ndryshme nga Drejtoria e Anti-Krimit Ekonomik dhe Financiar.
Konkretisht, punonjësi i Gjendjes Civile në Koplik, 60-vjeçari me iniciale E.R. dyshohet se ka shpërdoruar detyrën pasi i ka dhënë certifikatë një personi me të dhënat e një shtetasi tjetër.
Ndërsa ish-drejtori i shkollës së mesme të pyjores, A.Ç. 41 vjeç, akuzohet për shpërdorim detyre dhe falsifikim të dokumenteve shkollore. Sipas policisë, 41-vjeçari i ka vendosur nota kaluese nxënësit me inciale L.Z., në një kohë kur ky i fundit ishte përjashtuar nga shkolla në Mars të vitit 2019.
Mësohet se nxënësi ka qenë në klasën e 11-të dhe i janë vendosur notat kaluese për lëndët e semestrit të dytë, si dhe nuk i janë vendosur mungesa në regjistër, me qëllim që ai të përfundonte vitin shkollor në muajin Qershor 2019. Lidhur me këtë ngjarje janë proceduar në gjendje të lirë për shpërdorim detyre edhe dy mësueset me iniciale A.T. dhe B.L, pasi është zbuluar se u kanë vendosur nota kaluese nxënësve të përjashtuar. /tvklan.al