Në pranga edhe një 25-vjeçar
Dy persona janë vënë në pranga në Fier pasi janë kapur me armë zjarri. Autoritetet e rendit thonë se fillimisht u kap një 63-vjeçar në Mallakastër. Ai kishte dalë në lagjen “5 Shkurti” dhe ka qëlluar me armë zjarri.
Pas njoftimit ka ndërhyrë policia dhe pasi i ka patë efektivët, 63-vjeçari ka tentuar të hedhë armën dhe të largohet, por është kapur dhe më pas prangosur. Atij iu sekuestrua edhe arma kallashnikov me të cilën terrorizonte banorët.
Gjatë kontrollit të banesës së 63-vjeçarit, shërbimet e Policisë gjetën dhe sekuestruan në cilësinë e provës materiale 1245 fishekë, tre krehra, një ndezës mekanik, granatë ofensive, një shkop gome, një thike me teh të gjatë, një dorezë hekuri, një dorezë me sferë hekuri goditëse, barut për armë gjahu, një radio si ato të Policisë dhe 485 kg duhan i grirë, pa dokument blerjeje.
Po në vijim të kontrollit të territorit, bazuar dhe në informacionet e marra në rrugë operative, shërbimet e Komisariatit të Policisë Divjakë kanë ushtruar kontroll në fshatin Tërbuf, Divjakë, ku kanë kapur dhe arrestuar në flagrancë shtetasin J. Rr., 25 vjeç.
Gjatë kontrollit, shërbimet e Policisë Divjakë i kanë gjetur dhe sekuestruar në cilësinë e provës materiale 1 armë zjarri pistoletë, 1 pushkë, 2 krehra dhe 38 fishekë.
Materialet procedurale do t’i kalojnë Prokurorisë, për veprime të mëtejshme procedurale./tvklan.al