Dy të moshuar janë gjetur të vdekur në një shtëpi në fshatin Çorrush të Mallakastrës. Korrespondentja e Klan News, Anila Sefa raporton se të vdekurit janë dy vëllezërit, Sabri Velaj 90 vjeç dhe Novrus Velaj 85 vjeç.
Gazetarja bën të ditur që dyshohet se dy vëllezërit mund të kenë ndërruar jetë prej 10-14 ditë më parë. Trupat e tyre të pajetë janë konstatuar nga kryeplaku i fshatit, të cilit fqinjët i kishin treguar se nuk i kishin parë dy vëllezërit prej ditësh.
Sabri Velaj dhe Novrus Velaj ishin të dy të pamartuar dhe jetonin vetëm me njëri-tjetrin në banesën ku kanë humbur jetën. Ato ishin të pamundur për të lëvizur aq sa edhe për t’ju çuar ushqimet paguanin një person që jua sonte në banesë. E vetmja e afërme që kishin është motra e tyre e moshuar e cila ka mësuar për ngjarjen e rëndë.
Sipas asaj që raporton Policia dyshohet se nuk kemi të bëjmë me ngjarje kriminale, teksa grupi hetimor po punon për sqarimin e rrethanave dhe përcaktimin e shkakut të vdekjes.
Njoftimi i Policisë:
Mallakastër/Informacion paraprak-Rreth orës 11:00, në fshatin Çorrush, Mallakastër, në banesën e tyre, janë gjetur pa shenja jete shtetasit S. V., 90 vjeç dhe N. V., 85 vjeç(vëllezër), të cilët jetonin të vetëm.
Paraprakisht nuk dyshohet për ngjarje kriminale.
Grupi hetimor po punon për sqarimin e rrethanave dhe përcaktimin e shkakut të vdekjes.
/tvklan.al