Akuzohen për “Kultivimit të bimëve narkotike” dhe “Shpërdorimit të detyrës”
Fier – Drejtoria Rajonale e SHÇBA-së Fier në bazë të urdhrit të ekzekutimit dhe në bashkëpunim me Prokurorinë e Shkallës së Parë Fier, ka ekzekutuar vendimin penal datë 28.12.2021 të Gjykatës së Shkallës së Parë Fier, e cila ka caktuar masën e sigurimit personal për disa punonjës policie të zinxhirit komandues dhe përgjegjës të Komisariatit të Policisë Mallakastër, si më poshtë:
1-Komisar Elvin Karaj, me detyrë Shef i Seksionit të Krimeve pranë Komisariatit të Policisë Mallakastër, me masë sigurie “Arrest në burg”.
2-N/Komisar Endrit Vika, me detyrë Specialist i Krimeve pranë Komisariatit të Policisë Mallakastër, me masë sigurie “Arrest në burg”.
3-Inspektor Ermal Beharaj, me detyrë Ndihmës Specialist në Seksionin e Teknologjisë dhe të Përgjimit në DVP Fier, me masë sigurie “Arrest në burg”.
4-Inspektor Erlind Likaj, me detyrë SPZ pranë Komisariatit të Policisë Mallakastër, me masë sigurie “Arrest në burg”.
5-Inspektor Ornel Kuqari, me detyrën e Laborantit Kriminalistik pranë DVP Fier, me masë sigurie “Arrest në burg”.
Gjithashtu, në kuadër të këtij procedimi penal, Gjykata e Shkallës së Parë Fier ka caktuar masat e sigurisë “Detyrim për t’u paraqitur në policinë gjyqësore” edhe për punonjësit e mëposhtëm të policisë:
1-Komisar Gazmir Preçi, në detyrën e ish-Shefit të Komisariatit të Policisë Mallakastër
2-Inspektor Ylli Koroveshaj, me detyrë SPZ pranë Komisariatit të Policisë Mallakastër
3-Inspektor Irfan Bajramaj, me detyrë SPZ pranë Komisariatit të Policisë Mallakastër
Masat e sigurisë për këtë procedim penal janë nxjerrë në vijim të procedimit penal për veprat penale të “Kultivimit të bimëve narkotike” dhe “Shpërdorimit të detyrës”, ku pas hetimeve të kryera, në afërsi të Urës së lumit Vjosë, në Poçem të Mallakastrës, u evidentuan disa parcela të kultivuara me bimë narkotike, ngjarje për të cilën më herët janë arrestuar në flagrancë 3 shtetas.
Ndërsa hetimet për punonjësit e strukturës policore, përgjegjës për këtë zonë, vijuan nga strukturat e hetimit të SHÇBA Fier, ku në vijim të procedimit penal të ndjekur me metoda speciale të hetimit për një periudhë disa mujore, është bërë e mundur grumbullimi i provave dhe fakteve për këta punonjës policie për veprat penale sipas neneve 238, 248 dhe 25 të Kodit Penal.
Këta punonjës policie dyshohet se kanë shpërdoruar detyrën gjatë periudhës qershor – shtator 2021 duke lejuar, apo favorizuar veprimtarinë kriminale të disa shtetasve të arrestuar më parë nga Prokuroria e Rrethit Fier për kultivim të bimëve narkotike.
Nga hetimi i këtij procedimi penal është bërë e mundur sigurimi i provave ku janë gjetur disa parcela në vende të ndryshme të hapura dhe të mbjella në disa sipërfaqe të njësisë administrative Poçem, Mallakastër.
Hetimet për këtë procedim penal vazhdojnë./tvklan.al