Lajme Arkiva – TV Klan 2003

Altin Arapi është personi i arrestuar në Belgjikë dhe i identifikuar nga drejtësia jonë si autor i vrasjes së shoferit të prokurorit të përgjithshëm, Genci Sinës. Lajmi është bërë i ditur nga burime të konfirmuara policore, por ende jo zyrtarisht. Prokuroria e Përgjithshme ende nuk ka përgatitur një deklaratë shtypi lidhur me këtë arrestim.

Ndërsa Prokuroria e Tiranës me anë të zv/prokurorit të saj Kosta Beluri, deklaroi se për Altin Arapin, ashtu sikurse dhe për anëtarët e tjerë të organizatës kriminale Hakmarrja për Drejtësi, qëndron në fuqi urdhër-arresti për akuzat që sipas hetuesve janë kryer nga ky grup. Burime të rezervuara thanë, se Arapi është autor i disa ekzekutimeve, për të cilat akuzohet grupi i Hakmarrjes për Drejtësi, që dyshohet se është drejtuar gjatë gjithë kohës nga Orik Shyti. Ky i fundit është edhe kushëri i parë me Altin Arapin.

Mbrëmë para hetuesve ka dhënë deklarime të pakta edhe vajza që dyshohet se ka shoqëruar natën e atentatit Altin Arapi. I. T. u ndalua nga prokuroria në Ministrinë e Jashtme, ku punonte prej një viti si inspektore e këtij institucioni. Ajo ka pohuar se është e fejuara e Altin Arapit, ndërsa për natën e ngjarjes, ku autori i shoqëruar nga një femër doli nga taksia dhe vrau Genci Sinën, ende nuk bëhen të ditura me hollësi nga e ndaluara.

Tasho pritet të njihet nesër me masën e sigurisë në gjykatën e rrethit të Tiranës. Gjatë kësaj kohe, autoritetet shqiptare po punojnë për krahasimin e gjurmëve të gishtërinjve të gjetura në automjetin e viktimës me ato të ardhura nga Belgjika, ku ndodhet i prangosur Altin Arapi. Ky i fundit, pas procedurave përkatëse, pritet të ekstradohet në Shqipëri.

Deri tani Ministria e Rendit ka deklaruar, se ky person nuk ka ndonjë precedent penal në shtetin belg, përveç faktit se ka hyrë në këtë shtet pas kryerjes së vrasjes së Genci Sinës me pasaportë të falsifikuar./tvklan.al