Një kallëzim nga paraburgimi i Fredi Belerit kundër kryebashkiakut në detyrë të Himarës Jorgo Goro, vendosi në lëvizje Prokurorinë e Posaçme të hetonte tjetërsimin e pronave në zonën bregdetare në jug të vendit. Këtë të shtunë, policia arrestoi me urdhër të SPAK, Jorgo Goron në Dhërmi të akuzuar për shpërdorim detyre dhe falsifikim dokumentesh. Ai akuzohet për shkelje ligji në dy raste.
Në rastin e parë, Goro së bashku me zyrtarin e bashkisë Jerasimo Bashi akuzohet se shndërruan një pronë nga shtetërore në private dhe më pas u shit për të kryer investimin strategjik në këtë zonë. Ndërsa “arrest në burg” prokuroria ka kërkuar për Stavri Mëhillin, i cili është përfitues i tokës në mënyrë të padrejtë sipas SPAK nga firma e Jorgo Goros.
“Pa bërë asnjë verifikim konkret sipas detyrimeve ligjore, kanë përcjellë pranë organeve kompetente dokumenta tërësisht të falsifikuara duke bërë të mundur më pas regjistrimin e një sipërfaqe prej 5512 m2 tokë bujqësore në pronësi shtet, në favor të subjektit privat. Kjo sipërfaqe toke e ndodhur në Dhërmi, Vlorë, pas regjistrimit në regjistrat publikë falë edhe veprimeve të kundërligjshme të personave përgjegjës (shtetasve të tjerë nën hetim Bilbil Aliaj. dhe Vezir .Gjikoka.) është tjetërsuar në favor të një subjekti privat, duke zhveshur shtetin nga pronësia mbi të.”
Në rastin e dytë të hetuar nga SPAK, Jorogo Goro së bashku me Drejtorin e Drejtorisë së Mbrojtjes dhe Menaxhimit të Tokës në Bashkinë e Himarës, Jerasimo Basho, zhvendosën një sipërfaqe tokë bujqësore prej 5080 m2, duke ja mbivendosur atë një pasurie tjetër në pronësi të shtetit.
Sipas SPAK, shprehja për ekzistencën e një mbivendosje pasurish dhe më pas konfirmimi i një plan vendosje, shërbeu për zhvillimin e pronës dhe pajisjen me leje ndërtimi për një kompleks turistik. Arrest shtëpie ka caktuar gjykata për kreun e Kadastrës se Vlorës, Bilbil Aliaj dhe ish-juristin, Vezir Gjikoka të cilët kryen regjistrimin e pronës pa bërë verifikimet në terren. Masat e sigurisë nuk janë ekzekutuar për Jerasimo Bashi dhe Stavri Mëhillin, të cilët u shpallën në kërkim.
Klan News