Policia e Shtetit njoftoi këtë të mërkurë arrestimin e Xhelal Rrajës. I akuzuar për grup të strukturuar kriminal dhe sigurimin e kushteve për të kryer vrasje, Rraja mësohet se u arrestua në Tiranë.
“Pas një pune të mirëfilltë hetimore, është bërë e mundur kapja e shtetasit në kërkim Xhelal Rraja. Ai ishte shpallur në kërkim, pasi gjykata i kishte caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, në vijim të operacionit “Revanshi”, për pjesëmarrje në grup të strukturuar kriminal dhe për sigurim të kushteve për të kryer vrasje”, tha policia në një njoftim të shkurtër për mediat.
Xhelal Rraja u shpall në kërkim pas finalizimit nga SPAK të asaj që njihet me emrin operacional “Metamorfoza nr. 3.“, ku u nxorën 50 urdhër arreste për persona nga 7 grupe kriminale.
Në mesin e ngjarjeve të shumta kriminale që u zbuluan nga hetimet e SPAK, ishte edhe një plan për vrasjen e Arben Ndokës, për të cilën konsiderohet si organizator Durim Bami dhe SPAK thotë se është ndihmuar nga Endrit Dokle, Xhelal Rraja dhe disa persona të tjerë. Në komunikimet në “Sky”, rezultoi se ata ofronin shuma të majme parash për kryerjen e atentateve që shkonin më shumë se 1 milion Euro.
Xhelal Rraja po ashtu ishte në kërkim edhe për ngjarjen e ndodhur në Korrik të 2023, ku bashkë me anëtarë të tjerë të fisit Rraja dhunuan dy kushërinjtë Bilbil dhe Jashar Maja, për guroren e Fushë-Krujës./tvklan.al