Analisti Artan Hoxha thotë se fati i Kryetarit të Bashkisë, Erion Veliaj pas akuzave të SPAK varet nga disa rrethana.

I ftuar në emisionin “Opinion” në Tv Klan, analisti Hoxha shprehet se Veliaj tashmë është “i plagosur” rëndë politikisht. Sipas tij kryeministri Edi Rama me deklaratën e tij për Veliajn e ka marrë në mbrojtje atë që do të thotë se ky proces do të zgjasë.

Blendi Fevziu: Hoxha si e sheh fatin e Veliajt?

Artan Hoxha: Është “i plagosur” rëndë, në buzë të varrit politikisht, por do të varet nga disa rrethana. Për Veliajn ka një tërheqje litari të fortë. Në atë proces ka një tërheqje të fortë litari, shkon litari sa andej këndej, por një krah që e do Veliajn në burg nuk po fiton më shumë fuqi se sa krahu tjetër që po e mbron. Se si do shkoj ky rezultat, se çfarë temporitmi do të kemi për një finale, por fakti që sipas meje sot kryeministri e morri në mbrojtje do të thotë që kjo fazë do të duhet të zgjatet.

Analistja Gerta Zaimi e sheh në një mënyrë tjetër ku sipas saj drejtësia po mundohet të tregojë se të gjithë janë të ndëshkueshëm. Lidhur me kryebashkiakun Veliaj edhe Zaimi shprehet se ai është “i plagosur”

Gerta Zaimi: Është ‘plagosur’ në anën morale, në plan politik. Nuk mund të themi që nuk ka asnjë lloj pasoje nga ana morale në rang politik. Ajo e 5D është shumë e rëndë pavarësisht se ai nuk është i përfshirë direkt, por është shumë e rëndë. Megjithatë ai është i plagosur në kuptimin siç e tha Artani, por unë e shoh patjetër të dëmtuar nga ana politike dhe ana morale brenda Partisë Socialiste. Nëse do të dënohet nga ana gjyqësore është procesi gjyqësor që do e vendosë. Nuk do të thoja që drejtësia po vendos mbi bazë të tendencave të një pakle që po tërheq litarin më shumë apo më pak, do thoja që drejtësia po mundohet të veprojë për të hequr ndjenjën që në këtë vend asnjë nuk mund të ndëshkohet. Si do jetë fati i tij në terren varet shumë edhe nga opozita.

/tvklan.al