Ndërsa Bashkimi Evropian i ka dhënë ok aplikimit të Shqipërisë për statusin e kandidatit, mediat britanike janë fokusuar në pasqyrimin e hollësishëm të progresit të vendit tonë që konsiderohet më tepër se mbresëlënës, sidomos po të krahasohet me vendet e tjera të rajonit.
Në artikullin e gazetës prestigjioze britanike, The Guardian, të titulluar Welcome to Albania, Mirëserdhët në Shqipëri, gazetari Peter Preston thotë në mënyrë figurative se energjia dhe progresi që has në këtë vend të vogël janë aq te mëdha saqë te lënë pa fryme.
Ekonomia e këtij vendi vazhdon më tej Preston ka pësuar rritje ndërkohë që e gjithë bota është goditur nga kriza ekonomike.
Sistemi politik është tronditur si pasojë e socialistëve që pavarësisht se humbën zgjedhjet, vazhdojnë të bojkotojnë parlamentin duke mbushur rrugët e Tiranës me protesta.
Megjithatë Bashkimi Evropian i dha dritën jeshile nisjes së negociatave për statusin e kandidatit duke i çelur dyert shpërblimit për punën e kryer deri më tani nga autoritetet shqiptare.
Me tej, gazetari i The Guardian shkruan se kur viziton Tiranën shikon ndryshime të mëdha, një aeroport të ri ndërkombëtar, një autostradë të re, rrugë të rregulluara, ndërtesa të larta, një shembull tepër i vogël, por që tregon se Shqipëria ka ditur t’i transformojë 17 vitet e lirisë dhe demokracisë në diçka të jashtëzakonshme.
Me aftësinë për t’u rimëkëmbur, mirësinë dhe sensin e humorit shqiptarët mund të jenë anëtarët e 28 ose 29 të bllokut dhe për këtë arsye dhe shumë të tjera, të gjithë ne duhet të festojmë,shprehet The Guardian.
Sepse ndërsa vendet e tjera të rajonit, Kroacia Sllovenia, Bosnja, Maqedonia, Serbia, Mali i Zi, apo edhe vetë ato të bllokut kanë një sërë problemesh serioze Shqipëria është nga të vetmet që po ofron qëndrueshmëri dhe progres./tvklan.al
Gazetare: Urita Dokle