Komiteti për Mbrojtjen e Kushtetutës denoncon shkeljen e radhës që sipas tyre mazhoranca e kryeministrit Berisha po bën me bllokimin e dekreteve të presidentit.
Për Zhejin dhe Stefanin përplasja mes zotit Topi dhe të djathtës që e solli në krye të shtetit nuk është gjë tjetër veçse rrjedhojë e një mekanizmi anti-liri që ka zënë fill me ndryshimet kushtetuese të 21 Prillit.
Artur Zheji: “Ne konstatojmë që tanimë mazhoranca aktuale, stabilishmenti i zotit Berisha nuk bën gjë tjetër vetëm se po vijon, po vazhdon marshimin e vet për kapjen, pushtimin, zotërimin e të gjitha institucioneve që kanë mbetur edhe në kuptimin relativisht të pavarura. Në këtë rast bëhet fjalë për Gjykatën e Lartë”.
Andrea Stefani: “Debati që po zhvillohet lidhur me kandidaturat, dekretimet e presidentit për Gjykatën e Lartë nuk janë gjë tjetër veçse dëshmi e presioneve antikushtetuese që kryeministri ushtron mbi parlamentin e presioneve tashmë të fuqizuara pas amendimeve të 21 Prillit”./tvklan.al
Gazetare: Elja Zotka