Sekretari i Përgjithshëm i Partisë së Lirisë, Tedi Blushi shprehet se drejtuesit e Gardës së Republikës si dhe dy oficerët që kanë detyrë mbrojtjen e Ilir Metës nuk kishin dijeni se ku ndodhej ish-Presidenti në momentin e arrestimit.

I ftuar në emisionin “Opinion” në Tv Klan, Blushi thekson se ka kontaktuar me Gardën pas momentit të marrjes së informacionit, pasi fillimisht kanë menduar se ka të bëjë me një pengmarrje.

Blendi Fevziu: Përse ish-Presidenti nuk shoqërohej nga Garda?

Tedi Blushi: Sepse Presidenti që gjatë ushtrimit të detyrës e ka refuzuar vetë Gardën e Republikës sespse nuk ka pasur nevojë të mbrohet nga askush.

Blendi Fevziu: Mirë po Garda ka detyrimin ta mbrojë…

Tedi Blushi: Garda padiskutim ka detyre të mbrojë ish-Presidentin e Republikës por ajo që konstatova unë edhe në komunikimet me drejtuesit e Gardës në momentin që u lajmërova nga mediat sepse gjithçka ka ndodhur… ka qenë një show gangsterësh e mirëorganizuar. As Garda vetë nuk e dinte ku është Presidenti. As drejtuesit e Gardës nuk e dinin se ku ishte ish-presidenti.

Blendi Fevziu: Ju keni komunikuar me Gardën?

Tedi Blushi: Po padiskutim po.

Blendi Fevziu: Dhe çfarë ju thanë?

Tedi Blushi: Nuk e dimë ku është Presidenti. Kam kontaktuar me dy oficerët që zoti Meta ka nga Garda e Republikës dhe as ata nuk e dinin se ku ishte. Në fillim ne menduam se ka qenë një pengmarrje mafioze. Tani të rrëmbesh ish-Presidentin e Shqipërisë nmë këtë formë banditeske, një terror i pastër dhe kriminal atëherë më thoni se çfarë garancie kanë qytetarët që një ditë të bukur…

Ndër të tjera Blushi thekson se efektivët që kanë shoqëruar Metën iu kanë drejtuar pistoletën edhe qytetarëve që kanë filmuar ngjarjen.

“Shikojeni me kujdes këta banditë që i drejtojnë pistoletën qytetarëve që filmojnë sepse nuk e dinin se çfarë po ndodh. I drejton pistoletën një qytetari, shikojeni. Këto janë një grup terrorist në shërbim të një strukture terroriste kriminale që sot ka pushuar së ekzistuari dhe që quhet SPAK”, shprehet Blushi ndër të tjera./tvklan.al