Asambleja kombëtare në Pakistan ka pranuar dorëheqjen e presidentit Pervez Musharaf, i cili deri më tani i rezistoi me kokëfortësi presionit për t’u larguar nga posti.

Deri në zgjedhjen e presidentit të ri në krye të vendit do të jetë kryetari i Dhomës së Lartë së Asamblesë, Muhammad Mian Soomro.

Kushtetuta pakistaneze parashikon se presidenti i vendit zgjidhet me shumicë votash nga katër asambletë e provincave dhe dy dhomat e asaj kombëtare.

Ish-gjenerali erdhi në pushtet në vitin 1999 me anë të një grusht shteti të përgjakshëm. Pas nëntë vitesh në pushtet koalicioni qeveritar i përbërë nga partia e bashkëshortit të Benazir Bhutto-s, Asif Ali Zardari dhe ajo e ish-kryeministrit Nawaz Sharif, ia arritën qëllimit dhe formuluan akuzat për shkarkimin e 57-vjeçarit.

Reagimet ndaj dorëheqjes së aleatit të Shteteve të Bashkuara në luftën kundër terrorizmit kanë qenë të mëdha.

Sekretarja amerikane e shtetit, Condolezzaa Rice, tha se Uashingtoni do të vazhdojë bashkëpunimin me Pakistanin për të ardhmen e këtij vendi, por edhe për kontrollin e ekstremizmit.

Vendet e Bashkimit Evropian shprehën dëshirën që dorëheqja e Musharaf të mos ketë asnjë ndikim negativ në stabilitetin e brendshëm në këtë vend të madh aziatik./tvklan.al

Gazetare: Urita Dokle