Heroi i kombëtares shqiptare në Tbilisi, Kristjan Asllani mes më të mirëve në Ligën e Kombeve. Mesfushori që shënoi edhe golin e fitores 1-0 ndaj Gjeorgjisë është përfshirë në formacionin ideal të ndeshjeve të katërta të kompeticionit të Divizionit B.

Sipas faqes së specializuara të statistikave “Whoscored”, 22-vjeçari kuqezi meriton notën 8.6 për performancën ndaj gjeorgjianëve. Notë e rritur natyrisht pasi në këtë sfidë arriti të gjej edhe golin.

Asllani pozicionohet në mesin e fushës në formacionin ideal të rreshtuar me skemën 4-4-2. Formacioni më i mirë i dominuar nga Turqia e Austria me nga tre futbollistë, teksa nga një përfaqësues ka edhe Finlanda, Anglia e Ukraina.

Portieri Trubin i ukrainasve është pjesë e këtij formacioni kundërshtarë ndaj të cilëve do të mbyllim edhe llogaritë e sfidave në grupin B1. Goli i Asllanit ishte i treti për fanellën kuqezi, por më i rëndësishmi, pasi na jep shpresa për fitimin e grupit që do përkthehej në ngjitje të Divizionit në Ligën e Kombeve.

Klan News