Vllaznia kryeson renditjen e Superligës shqiptare pas 7 javësh kampionat. Shkodranët pësuan humbjen e dytë në këtë sezon, këtë herë ndaj Dinamos, gjithsesi, mbeten në kryesimin e elitës së futbollit tonë.
Kuqeblutë kanë edhe sulmin më të mirë me 11 gola të shënuar deri më tani. Raundi i 7-të i Superligës nuk prodhoi asnjë barazim në 5 takimet e zhvilluara, me një total prej 10 golash të shënuar. Mesatare prej 2 golash në çdo 90 minutësh, e ku fitorja i buzëqeshi 2 skuadrave pritëse e 3 në transfertë.
Një fakt interesant është se të tre ekipet e kryeqytetit, Tirana, Dinamo apo edhe Partizani ia dolën për të marrë 3 pikët. Bardheblutë thyen edhe tersin e barazimeve në këtë sezon kundër Skënderbeut. Pas 6 barazimeve në 6 takime, skuadra e Bledi Shkëmbit ia doli për të përmbysur dhe i rrëmbyer pozicionin e 7-të në renditje korçarëve.
Edhe pas 630 minutave të këtij sezoni, Laçi nuk njeh fitore. Kurbinasit u mposhtën nga një gol përballë Teutës për të mbetur në fund të renditjes me vetëm 3 pikë. Autori i golit të durrsakëve ka garantuar një vend në formacionin ideal të javës, propozuar nga trajnerët e ekipeve të moshave të kombëtares shqiptare.
Në skemën, 4-3-3 dominohet nga Partizani e Vllaznia me 3 futbollistë, ndjekur nga Tirana e Elbasani me nga 2, ndërsa trajneri i javës është zgjedhur ai i të kuqve, Veselinoviç.
Momentalisht, në zonën play-off gjenden Vllaznia, Partizani, Elbasani dhe Egnatia, teksa në pozicionohet e rënies nga kategoria gjenden Skënderbeu, Bylis dhe Laçi.
Klan News