Ekspertët: Gjoba edhe për qytetarët që nuk kalojnë në to
Respektimi i vijave të bardha si nga drejtuesit e mjeteve po ashtu dhe nga këmbësoret duket se nuk zbatohet në kryeqytet. Në shumicën e rasteve automjetet qarkullojnë edhe pse këmbësori nuk ka mbaruar lëvizjen. Por ka dhe raste të tjera kur vetë qytetarët nuk i respektojnë këto vija të bardha.
“Kur këmbësori kalon në vizat e bardha, drejtuesit e mjetit duhet ta ulin shpejtësinë dhe të ndalojë të bëjë të mundur kalimin e këmbësorit nga një krah i rrugës në krahun tjetër. Po kështu edhe këmbësorët duhet të shikojnë rrugën dhe po ashtu të kalojnë në grup, jo një nga një“, thotë eksperti Fisnik Zeçishti.
Mjafton të qëndrosh vetëm pak minuta në një prej rrugëve të Tiranës, për të parë si drejtuesit e mjeteve dhe këmbësorët janë të padisiplinuar në rrugë.
“Gruaja me karrocë kalon jo në vija të bardha dhe kjo është premisë për aksident”.
“Taksisti nuk lejon këmbësorin të kalojë, kjo është një shkelje e pastër dhe taksisti duhet gjobitur menjëherë”.
Këmbësorët, drejtuesit e mjeteve apo dhe biçiklistët që kalojnë në vijat e bardha pa zbritur nga biçikleta, shkelin nenin 198 të Kodit Rrugor dhe për këtë arsye, sipas ekspertëve, duhen gjobitur.
“Nga ana e organeve kompetente duhet gjetur një mënyrë për vjeljen e gjobave, sepse dhe ata këmbësorë që nuk kalojnë në vizat e bardha duhen gjobitur”.
Kjo është mënyra se si sillen përdoruesit e rrugës në Shqipëri, por çfarë ndodh në vendet europiane.
Nuk kanë qenë të pakta rastet e aksidenteve të këmbësoreve në rrugët brenda qyteteve për shkak të mosrespektimit të sinjalistikës, si nga këmbësoret ashtu edhe nga drejtuesit e automjeteve.
Tv Klan