Në përgjigje të letrës së presidentit të republikës demokratët vijojnë letërkëmbimin.

Kryetari i grupit parlamentar demokrat, Astrit Patozi, i përgjigjet kreu të republikës vetëm një ditë pasi ai i kërkon forcave politike të japin sugjerime për standardet dhe kriteret që duhet të plotësojnë anëtarët e rinj të Gjykatës së Lartë.

Në letrën që Patozi i ka dërguar presidentit në mesditë thuhet se grupi parlamentar i Partisë Demokratike mendon se veç kërkesave ligjore kandidatët për anëtarë të Gjykatës së Lartë duhet të përmbushin dhe disa kërkesa të tjera.

Ne besojmë se respektimi i këtyre kritereve, shkruan Patozi, do të justifikonte besimin e institucioneve që përzgjedhin dhe miratojnë për meritën e secilit nga kandidatët.

Sipas demokratëve kandidatët për anëtarë të Gjykatës së Lartë duhet të mos kenë marrë pjesë gjatë karrierës së tyre në procese politike, të mos kenë favorizuar apo ndihmuar gjatë hetimit dhe gjykimit individë apo anëtarë të organizatave kriminale, të mos jenë përfshirë në dhënien e vendimeve gjyqësore në konflikte interesi, si dhe të kenë bërë transparente dhe të kenë justifikuar pasurinë e tyre.

Kjo letër e shkurtër me firmën e kryetarit të ligjvënësve demokratë është i pari komunikim institucional mes presidentit dhe demokratëve pas rrëzimit në parlament të pesë anëtarëve të Gjykatës së Lartë, një vendim politik ky i mazhorancës i justifikuar nga ata me faktin se kreu i republikës nuk kishte respektuar një vendim të gjykatës kushtetuese, ku thuhet se presidenti duhet të konsultohet për emrat e kandidatëve me forcat politike përpara se t’i dekretojë ato./tvklan.al

Gazetare: Elja Zotka