Lajme Arkiva – TV Klan 2003

Rrezikohet seriozisht jeta e dy punonjësve të kësaj bashkie. Rreth orës 12:00, në momentet kur kryebashkiaku po zhvillonte një koktej me nëpunësit e administratës, si shenjë falënderimi për bashkëpunimin 3 vjeçar, një 30 vjeçar ka ndaluar para godinës së bashkisë dhe ka nisur të qëllojë me pistoletë.

Fillimisht duke sharë e kërcënuar kryebashkiakun Ylber Zeneli, ai ka qëlluar në drejtim të makinës së tij. Krisma që kanë shqetësuar edhe nëpunësit që ishin në koktej brenda godinës. I pari që ka dalë për të parë se ç’kishte ndodhur ka qenë kryetari i bashkisë Ylber Zeneli, me disa prej punonjësve.

Në këtë moment Ylber Axhami ka qëlluar dhe në drejtim të njerëzve duke thyer xhamat e bashkisë. Policia është vënë në alarm dhe ka rrethuar 30 vjeçarin në fshatin Shtiqën, vetëm 30 minuta pas ngjarjes, pikërisht në vendin ku banonte. Sipas policisë, Axhami ka tentuar edhe në drejtim të uniformave, madje në momentin e arrestimit atij i është kapur edhe një granatë dore e gatshme për të shpërthyer.

Sipas policisë, Axhami njihet si njeri me prirje kriminale, pasi edhe në vitin 1997, ka plagosur një punonjës policie, veprim për të cilin është amnistuar. Sipas hetimeve paraprake, shkaku i kësaj ngjarje është një konflikt për një patentë që ka ndodhur, që në kohën kur kryetari i bashkisë Zeneli ka qenë shefi i qarkullimit rrugor në Kukës./tvklan.al