Lajme Arkiva 2003

Rreth orës 8:00 të mëngjesit teksa përgatitej të shkonte në punë dekani i Fakultetit të Shkencave Sociale Ylli Pango është plagosur nga shpërthimi i një granate të vendosur në garazhin e banesës. Sipas burimeve të policisë shpërthimi ka pasur një zhurmë të fortë dhe të parët që mbërritën në vendin e ngjarjes qenë punonjësit e postës policore në Qytetin Studenti, vend ku ndodhet edhe vila e profesor Pangos dhe motrës së tij. I plagosuri është dërguar urgjent në spital nga një fqinj i tij.

Dëshmitari: Sa u ngrita nga gjumi mbarova kafen së piri ku dëgjova zhurmën e minës.

Gazetarja: Ku e keni shtëpinë ju?

Dëshmitari: E kemi këtu poshtë. Dëgjova zhurmën e të motrës se ishte e motra sa erdha unë këtu erdhi një polic më parë. Tha që i kishin vënë minë, kishte dhimbje në kokë nga këmba. Ndaluam një makinë të rastit e dërguam në spital.

Në Spitalin Ushtarak është angazhuar një ekip i madh mjekësh të cilët pas ndihmës së parë në urgjencë e kanë dërguar profesorin në një nga dhomat vip të repartit të kirurgjisë. Pak orë pas ngjarjes dekani i Fakultetit të Shkencave Sociale dhe njëherësh këshilltari politik i Presidentit të Republikës, ndonëse me vështirësi u shpreh për gazetarët se kjo ngjarje ndodhi pas një kohe të gjatë kërcënimesh dhe telefonatash anonime.

Ylli Pango: Mund të them se në gjithë këtë periudhë kam pasur, gjithmonë kam pasur kërcënime telefonata. Madje në rastin e fundit, para një muaji është njoftuar dhe policia jo nga unë. Unë nuk kam dashur të implikoj policinë është njoftuar nga njerëz të afërm edhe policia.

Gazetarja: Zoti Pango a keni një të dyshuar një person që ju ka kërcënuar personalisht dhe që ju e njihni?

Ylli Pango: Jo përgjithësisht njerëzit kanë qenë anonim, telefonatat kanë qenë anonime dhe nuk kam armiq personal. Për gjendjen shëndetësore të profesor Pangos mjekët shprehen optimist. Kirurgët e Spitalit Ushtarak tha se pacienti tashmë është jashtë rrezikut për jetën.

Kirurgu: U dominua dhimbja dhe u morën masat për të ndaluar hemorragjinë dhe për mjekimin e plagëve. Më pas u vazhdua me ekzaminimet radiologjike dhe radiografike, aktualisht mendojmë se i sëmuri është jashtë rrezikut për jetën megjithëse ka dy plagë në barkë të cilat mendojmë se nuk janë penetrante, por gjithsesi ka nevojë për observim dhe për trajtim hap pas hapi sipas situatës. Ka një frakturë të anësisë së poshtme e cila nuk bën objekt kirurgjikal por gjithsesi është traumë e madhe.

Gjatë kohës që dekani Pango merrte mjekime për plagët është vizituar nga kolegë dhe intelektualë të tjerë si edhe nga përfaqësues të politikës. Kryetari i Partisë Demokratike Sali Berisha i shoqëruar edhe nga anëtarë të tjerë të kësaj partie u shpreh pasi takoi zotin Pango se ky është një rast që i shtohet atentateve të kohës së fundit kundër fjalës së lirë.

Sali Berisha: Mendoj se ky është një atentat ndaj fjalës së lirë. Mund ta them këtë se zoti Pango përfaqëson akademikun e pavarur, përfaqëson intelektuali i cili gjatë gjithë kësaj periudhe ka qenë avokat i vërtet i vlerave të një shoqërie të lirë. Nuk mund të mos ketë kjo këtë prapavijë, në një kohë kur parlamentarëve u vijnë mesazhe nga klanet kriminale të politikës dhe të lidhura me politikën se votove këtë ligj apo votove këtë ligj, do të pësosh këtë apo atë.

Ndërkohë policia e Tiranës ka deklaruar se po hetohet në tre pista. Sipas drejtuesve të saj janë marrë në konsideratë edhe denoncimet e mëparshme që janë bërë në adresë të zotit Pango dhe familjes së tij, por nuk përjashtohet edhe pista e ndonjë hakmarrje banale të ndonjë studenti të profesorit, gjë që ky i fundit e ka mohuar kategorikisht duke u shprehur se ka marrëdhënie mjaft të mira me ta. Deri më tani në polici janë marrë në pyetje familjarë të dekanit, dëshmitarë të ngjarjes por nuk është njoftuar ende për ndonjë të shoqëruar si autor të saj./tvklan.al