Vasil Dervishaj, 29-vjeçari që u vra në atentat në Vlorë, rezulton të ketë qenë person me precedent të mëparshëm penal. Autoritetet janë duke hetuar në disa pista dhe një nga këto daton 13 vite më parë. Vëllai i viktimës, Derlin Dervishaj ishte arrestuar në vitin 2008 për vrasjen e një vajze 20-vjeçare, të quajtur Joana Dudushi.
Kjo e fundit është vrarë në vitin 2005 në Vlorë. Ajo u qëllua me thikë në zemër dhe trupi i saj u hodh në det. Tre vite më vonë, u arrestua Derlin Dervishaj, vëllai i viktimës Vasil Dervishaj. Ai u dënua me 8.4 vite burg dhe pranoi autorësinë e vrasjes së 20-vjeçares Joana Dudushi. Për këtë fakt, ai përfitoi gjykim të shkurtuar.
Kush është Joana Dudushi
Trupi i pajetë i Joana Dudushit u gjet më 2 Gusht 2005. 20-vjeçarja ishte nënë e një foshnje disa muajshe. Ajo njihej edhe me pseudonimin “Stela”. Sipas raportimeve mediatike të asaj kohe, thuhet se “Stela” ka qenë “spiune” e policisë në Vlorë. Këtë “punë” besohet se ajo e kishte nisur në moshën 17-vjeçare. Më pas, mendohet se kishte hequr dorë nga “spiunazhi”. Pak kohë përpara se të gjendej e vdekur, Joana Dudushi kishte denoncuar disa oficerë të Policisë së Vlorës, si të përfshirë në trafiqe dhe në korrupsion. Këto denoncime ajo i kishte bërë në një emision televiziv. Në atë kohë, 20-vjeçarja ishte bërë e njohur për publikun pikërisht nga denoncimet mediatike që kishte bërë ndaj disa zyrtarëve të policisë. Sipas deklaratave në atë kohë, disa oficerë policie u vinin gjoba qytetarëve nën akuza të rreme. Pas denoncimeve të “Stelës”, Prokuroria kishte nisur hetimet.
Por, kur çështje shkoi në Gjykatë, Joana Dudushi u tërhoq nga këto denoncime, dyshohet për shkak të presioneve që i ishin bërë. Ajo iu rikthye jetës së bashku me foshnjen e saj 9-muajshe. Pak kohë më vonë, u gjet e vrarë. Vrasjen e 20-vjeçares e denoncoi në vitin 2005 edhe Partia Demokratike në atë kohë në opozitë, përmes nënkryetares së saj Jozefina Topalli. Kjo e fundit i kërkoi Prokurorisë që të zbardhte vrasjen e “Stelës”, ndërsa ky krim i rëndë, sipas Topallit, tregonte kaosin në strukturat e shtetit.
Atentati më 4 Qershor 2018
Vrasja e 20-vjeçares në vitin 2005 nga vëllai i Vasil Dervishajt, ka bërë që policia të hetojë edhe në këtë pistë, për të zbardhur nëse ngjarjet kanë lidhje me njëra-tjetrën. Ndërsa një pistë tjetër është ajo e prishjes së pazareve të drogës. Viktima Vasil Dervishaj u ekzekutua mbrëmjen e së hënës (4 Qershor) nga persona të paidentifikuar. Biznesmeni i kafes, ishte baba i një fëmije të mitur. Pak metra larg vendngjarjes, grupi hetimor gjeti dy armë, një kallashnikov dhe një pistoletë. Nga hetimet paraprake, ndaj 29-vjeçarit që po udhëtonte me makinë, është qëlluar me breshëri kallashnikovi. Dyshohet se Vasil Dervishaj ka mundur të dalë i plagosur nga automjeti i tij tip “Ford Focus”, por më pas mendohet se është qëlluar me pistoletë në kokë, duke i shkaktuar vdekjen. Kjo është dhe arsyeja përse trupi i pajetë i 29-vjeçarit u gjet i shtrirë në rrugë dhe jo brenda automjetit të tij. Policia është treguar e rezervuar në dhënien e informacioneve. /
tvklan.al