Tvklan.al ka mësuar se një person i tretë ka mbetur i plagosur nga atentati i sotëm në rrugën Transballkanike në Vlorë.

Burimet bëjnë me dije se është plagosur edhe një fëmijë 8-vjeçar. Ai është djali i Ferdinand Llanajt, 39-vjeçarit që dyshohet se ka qenë objektiv i atentatit.

I mituri ndodhej brenda automjetit tip “Mercedes-Benz” me targa VL 63 68 C që u qëllua me breshëri kallashnikovi nga persona ende të paidentifikuar.

Fëmija ka marrë një plumb në krah dhe fatmirësisht ndodhet jashtë rrezikut për jetën, raporton tvklan.al

Edhe dy të plagosurit e tjerë Ferdinand Llanaj 39 vjeç dhe Dritan Begaj 50 vjeç që udhëtonin me makinë, kanë mbetur të plagosur dhe po marrin mjekim në spital. Njëri prej tyre ndodhet në gjendje të rëndë.

Ndërkohë, grupi hetimor i policisë së Vlorës ka shoqëruar disa persona që kanë qenë dëshmitarë në vendngjarje. Mësohet se ata nuk kanë dhënë informacione të vlefshme për policinë në lidhje me identitetin e autorëve, pasi nuk kanë mundur t’i shikojnë qartë.

Nga hetimet e deritanishme rezulton se autorët qëlluan me breshëri kallashnikovi nga një tjetër makinë në lëvizje. Uniformat blu kanë ngritur postblloqe për kapjen e tyre, por deri tani nuk kanë asnjë shenjë. Në vendngjarje u gjetën rreth 20 gëzhoja dhe një pistoletë, që dyshohet se i përket njërit prej të plagosurve. 

/tvklan.al