Ndryshe nga ndalesa e Majit në Athinë, turi i diasporës së kryeministrit me shqiptarët e Greqisë në Selanik u parapri nga masa të larta sigurie.
Kjo për shkak të paralajmërimeve të ultranacionalistëve grek, të cilët të pakët në numër protestuan shumë larg sallës ku mbahej takimi.
Kjo nuk i pengoi emigrantët e Selanikut që t’i rezervonin kryeministrit një tjetër mirëseardhje.
Që në nisje të takimit adresoi dy prej ngjarjeve që i paraprinë vizitës së tij në Greqi, së pari keqardhjen ndaj gazetarëve që u bllokuan për disa orë në pikën doganore të Kapshtinës. Një rasti paprecedentë, për të cilin tha se mori zgjidhje vetëm falë ndërhyrjes së ministrit të Jashtëm grek.
“U bllokuan për disa orë në kufi, për arsye të panjohura për ne, por duhet të falenderoj ministrin e Jashtëm grek për ndërhyrjen e tij dhe zhbllokimin një situate absurde që kurrë si ka ndodhur dhe s’mund t’i ndodhë për asnjë arsye asnjë gazetari grek në kufirin hyrës të Shqipërisë.”
Mesazhin e dytë e kishte për nacionalistët fqinj, prej të cilëve tha se kishte marrë edhe kërcënime.
“Me fletushka dhe me parrulla të frymëzuara nga i ashtëquajturi Vorio Epir ata kanë bërë këto ditë edhe kërcënime që mua më shkaktojnë vetëm keqardhje. Vorio Epiri është një term i vdekur me kohë dhe me vaktë. Ka vdekur bashkë me çdo ëndërr të lodhur të individëve të dal boje dhe kohe. Kush përdor Vorio Epririn kur flet për jugun e vendit tregon pafuqinë e tij për të jetuar në shekullin e 21. Këto janë fosile për gjynah, nuk duhet të ushqejnë ndenja brenda nesh ndjenja jo miqësore.”
Nga Selaniku shqiptarëve të Greqisë u kërkoi sërisht votën në zgjedhjet parlamentare për ta ngritur brenda 2030 flamurin e Shqipërisë në BE.
“Ua them me plot gojën, se në pranverën e ardhshme u kërkoj votën tuaj nga Greqia, për ta bërë Shqipërinë, e 2030 anëtare me të drejta të plota në BE, ta ngremë flamurin e Ismail Qemalit dhe Skënderbeut në Bruksel brenda kësaj dekade.”
Rama zbuloi se qeveria po mendon të çlirojë nga barra e detyrimeve financiare emigrantët, të cilët do të votojnë për herë të parë në zgjedhjet e 2025-ës.
“Po diskutohet që qeveria shqiptare të mbështesë financiarisht dërgimin mbrapsht të fletave të votimit që mos të ketë kosto për votuesit e parë në historinë shqiptare nga jashtë vendit.”
Nuk la pa ironizuar as opozitën duke u shprehur se tashmë debat mund të bëjë vetëm në emisionin Opinion.
“Sa herë më marrin në pyetje më nxjerrin përpara lista emrash, siç ndodhi me të vetmen opozitë që na ka mbetur me të cilën mund të bëjmë debat, me Blendi Fevziun.”
Poshtë hodhi çdo akuzë për kapje të drejtësisë nga qeveria, teksa solli si shembull të arrestuarit nga SPAK-u brenda rradhëve të partisë së tij.
“Ata që përpiqen tu bindin se reforma në drejtësi është teatër i mazhorancës për të hequr kokat e opozitës, nëse kjo do të ishte e vërtetë, atëherë nuk do të ishin prerë aq shumë koka nga radhët tona. Nëse qeveria do të kishte kontroll mbi drejtësinë, atëherë drejtësia nuk do të hynte dot në radhët e qeverisë.”
Emigrantët i ftoi të kthehen në Shqipëri për të investuar kapitalin e tyre në sektorin e turizmit, i cili tha se ka njohur një bum të vërtetë vitet e fundit.
“Nuk ka nevojë të kthehet me familjen, por nëse i investon ato të ardhura për të hapur derën e vjetër dhe ta kthejë në bujtinë mikpritëse do të ketë të ardhura më të larta sesa të ardhurat këtu në Greqi.”
Edi Rama lajmëroi se do të firmoset një kontratë përmes së cilës 8 mësuese të gjuhës shqipe do t’u mësojnë vogëlushëve në Greqi gjuhën amtare, ndërsa tha se ka një progres nga pala Helene për të pajisur me leje qëndrimi shqiptarët që prej vitesh jetojnë në shtetin fqinj.
Tv Klan