Pavarësisht disa ngjarjeve të pakëndshme kohëve të fundit, kryeministri Edi Rama vuri disa herë theksin te fakti se Shqipëria e sheh Greqinë si shtet mik. Ai tha se historia nuk duhet të shërbejë si arsye për “ngërçe”, por përkundrazi marrëdhëniet shqiptaro-greke duhet të forcohen në të mirë të dy popujve.

“Unë nuk kam ardhur këtu që të ripërtyp bashkë me ju historinë e jashtëzakonshme dhe komplekse të këtij qyteti, jam këtu në funksion të kurrfarë qëllimi politik dhe në asnjë mënyrë me kundërshti për këndvështrimin tonë historik. Teksa po bëj homazh të një pjese të hedhur prapa krahëve, historia është domosdoshmëria për ta parë historinë e së ardhmes së pandashme mes Shqipërisë e Greqisë.”

Për shqiptarët në Greqi e minoretin grek në vendin tonë, Rama tha:

“Ju jeni thelbi brenda bërthamës së pandashme të një fqinjësie që duhet të jetë burim miqësie, jo konfliktesh. Burim fuqie e përbashkët, jo karshillëqe ndaj njëri-tjetrit. Burim partneriteti deri në nivelin e qeverive, jo sebebesh për ngërçe mes njëri-tjetrit që pastaj i paguajnë qytetarët e zakonshëm të dy vendeve tona.”

“Ka boll arsye historia e fqinjësisë në Europë, për t’ja filluar avazeve të vjetra se kush keni qenë ju e kush kemi qenë ne, që nuk na çojnë asgjëkundi, përkundrazi hapin probleme bilaterale në rrugën evropiane të vendeve. Duke e parë të shkuarën me sytë e së ardhmes, në histori duhet të kërkojmë vetëm arsyet, që jeta jonë nën diellin që bashkëndajmë prej mijëra vitesh të bëhet fuqia e përbashkët në funksion të zhvillimit dhe mirëqenies së të dy popujve”, përfundoi kreu i qeverisë shqiptare.

/tvklan.al