Vendimi i Gjykatës së Shkallës së Parë në 19 mars, vetëm 4 ditë pas tragjedisë së Gërdecit është apeluar nga avokati i të arrestuarve, si përgjegjës kryesorë të kësaj ngjarjeje. Arben Prifti, avokati i Mihail Delijorgji dhe Dritan Minxhollit, ka kërkuar të lehtësojë pozitat penale të dy klientëve të tij në gjykatën e shkallës së dytë, atë të apelit, por nuk ka arritur të bindë gjykatën për ndryshimin e masës së sigurisë.
Arben Prifti: “Ne sollëm ato rrethana dhe fakte qoftë në gjykim në shkallë të parë, qoftë edhe në gjykimin në Apel që lehtësimi nga ana e gjykatës të lidhur me masën e ndalimit ishte jo i ligjshëm.”
Një fakt i cili sipas avokatit mund të përkthehej nga gjykata si një masë lehtësuese, ishte dhe fakti se Delijorgji dhe Minxholli janë vënë në dispozicion të prokurorisë vetëm pak orë pas ngjarjes duke mos u larguar nga vendi për shmangien e përgjegjësive.
Arben Prifti: “Për sa i përket kriterit tjetër, kushtit tjetër, kërkesës tjetër që ka të bëjë me marrjen e provave apo fshehjen e provave, përsëri këtu është një dyshim hipotetik, i pambështetur dhe i pabazuar, si dhe nga ana tjetër nuk ekziston dhe kryerja e një vepre tjetër më të rëndë apo qoftë edhe e atij niveli që kuptohet pasojat e Gërdecit janë marramendëse dhe tragjike. Ne argumentuam edhe faktin që Gjykata e Shkallës së Parë kish dalë jashtë kërkesës së organit të akuzës duke pasur parasysh statusin e personave të mbrojtur prej meje që janë persona nën hetim dhe gjykata aludonte se duke qenë persona nën hetim ata, ndaj tyre mund të ketë akuza të tjera.”
Ndryshe nga seanca e drejtorit të kompanisë shtetërore Meico, pak ditë më parë Ylli Pinari, prokurorët e apelit kanë paraqitur përpara gjykatës dhe një fakt akoma më rëndues për dy të pandehurit, siç është ai i filmimeve që vërtetojnë se në fabrikën e Gërdecit ishin të punësuar shumë njerëz të pakualifikuar, si dhe gra dhe fëmijë./tvklan.al
Gazetare: Anduena Llabani