Merr një tjetër rrjedhë çështja “Babale”, e cila është ende nën hetim nga Prokuroria e Tiranës. Alfred Veliu personazhi kryesor i kësaj historie, i cili kërkoi azil politik në Kosovë pasi u largua nga Shqipëria është arratisur në Hungari.

Burime të Televizionit Klan thanë se Veliu ka lënë papritur kampin e azilkërkuesve në Prishtinë. Sipas të njëjtave burime, autoritetet shqiptare kanë dërguar drejt Hungarisë kërkesën për ekstradim për 51-vjeçarin, i cili akuzohet për kallëzim të rremë dhe kalim të paligjshëm të kufirit.

I kontaktuar nga Televizioni Klan, avokati që mbrojti interesat e Veliut në Kosovë, Tomë Gashi tha se klienti i tij ishte ndaluar në Hungari në 25 Dhjetor të vitit të kaluar, duke qëndruar vetëm 2 ditë aty. Më pas, sipas tij, Babalja ka udhëtuar në Bruksel ku është bashkuar me familjen e tij.  Sipas tij, arratisja nga Kosova ka patur si shkak keqtrajtimin në aspektin juridik.

Sipas Prokurorisë Shqiptare dyshohet se ai ka sajuar një histori trafiku droge nga Vlora, ku ka përfshirë edhe vëllain e ish-Ministrit të Brendshëm, Fatmir Xhafaj. Për këtë çështje i vetmi person që ndodhet në qeli është Fredi Alizoti, i cili pranoi se kishte qenë ai, personi që kishte bërë rolin e Agron Xhafajt në audio-përgjimin e parë.

Tv Klan