Deputeti i PD-së, Luan Baçi ka qenë i pranishëm pranë burgut të Fierit dhe ka pritur Ervin Salianjin kur ka mbërritur aty rreth orës 20:08.

Baçi ka dhënë një prononcim për mediat, ku ka theksuar se sipas tij, Salianji është i dënuar politik nga mazhoranca dhe kryeministri Edi Rama.

Deputeti demokrat në Fier ka thënë se do të jenë në mbështetje të Salianjit gjatë periudhës që ai do të kryejë dënimin në burg.

Luan Baçi: Në burgun e Fierit sot vjen një kolegu im, një miku im, deputet i PD-së, i dënuar politikisht nga kjo mazhorancë dhe nga ky kryeministër. Do të jemi pranë tij dhe në krah të tij, struktura e Fierit do të jenë në afërsi të tij, është detyrimi ynë, do të jemi në krah të tij. Kushdo nga deputetët mund të ishte sot në vendin e Salianjit. Deputeti Salianji, përveç se ka bërë një denoncim të qartë dhe të kthjellët, që u vërtetua që ishte mëse i vërtetë se denoncoi vëllain e ish-ministrit Xhafaj dhe pas denoncimit të Salianjit, vëllai i Xhafajt iku në Itali për të kryer dënimin e mbetur pezull. Atëherë, çfarë mund të themi që Ervin Salianji është një i dënuar me të drejtë nga drejtësia? Është një i dënuar politik, është një goditje që i bëhet opozitës dhe PD-së në vazhdimësi nga kjo mazhorancë dhe nga ky kryeministër. Unë do të jem këtu në mbështetje të Salianjit.

Sipas Baçit, Rama kishte informacione të hollësishme se si po ecte procedura gjyqësore ndaj Salianjit teksa pretendon se kryeministri e dinte vendimin që do të merrte Apeli në lidhje me ish-deputetin demokrat.

Luan Baçi: Rama më në fund vërtetoi që është një nga autorët kryesorë për të futur Salianjin në burg për arsye se jo më larg se 2 seanca më parë në parlament i është drejtuar Salianjit që “akoma nuk ke shkuar në burg ti se po e shtyn me raporte?”.  Pra kishte një informacion të hollësishëm se si po ecte procedura ndaj Salianjit. Patjetër që e dinte vendimin që do të merrej për arsye se ka qenë vetë vendimmarrësi. Duhet të harrojë se do të ndalojë opozitën me goditjet që i bëhen deputetëve të PD-së. E dimë mirë mënyrën pse godet herë pas here çdo deputet.

Deputeti Baçi ka paralajmëruar se opozita do të kalojë në një stad tjetër të të bërit opozitë dhe ka thënë se nuk do i nënshtrohen mazhorancës.

Luan Baçi: Opozita dhe PD-ja do të kalojë në një stad tjetër të të bërit opozitë. Boll është boll! Organet e PD-së janë mbledhur për të vendosur për hapat e mëtejshëm se si do të vijojë aksioni opozitar. Nuk mundet që ne të rrimë dhe t’i nënshtrohemi kësaj mazhorance. Rasti i sotëm është flagrant, i paimagjinueshëm, absurditet në kuptimin e plotë të fjalës. Një nga deputetët më të spikatur të PD-së goditet për të ju thënë të gjithë deputetëve të tjerë “ndaloni se ju pret burgu”.


/tvklan.al