Shtatë deputetë të Partisë Demokratike të përfshirë në incidentet e regjistruara gjatë seancës parlamentare të së enjtes janë vënë në hetim në gjendje të lirë nga Policia e Tiranës dhe janë referuar në SPAK.
Mes tyre është dhe deputetja Elda Hoti, e cila akuzohet për “Kanosje” dhe “Shkelje e rregullave mbi lëndët helmuese”, për shkak se sipas policisë hodhi një lëndë të lëngshme por ende të paidentifikuar në drejtim të deputetëve të tjerë, brenda ambienteve të parlamentit.
Ndërkohë 6 kolegët e saj, Flamur Noka, Bledjon Nallbati, Gazmend Bardhi, Dashnor Sula, Luan Baçi dhe Saimir Korreshi janë referuar në Prokurorinë e Posaçme për veprën penale “Kundërshtim i punonjësit të policisë së rendit publik”.
Krahas deputetëve të opozitës, Policia e Tiranës ka vënë në hetim dhe 6 protestues, pjesë e aleancës për mbrojtjen e teatrit, si dhe simpatizantë të PD.
Ata akuzohen se janë përfshirë në përplasjen që deputetët e opozitës patën me forcat e policisë jashtë ambienteve të Kuvendit.
Ndërkohë edhe Partia Socialiste i ka kërkuar Sekretariatit të Etikës të marrë masa ndëshkuese ndaj deputetëve të opozitës, Elda Hoti dhe Petrit Doda për pengim të zhvillimit të seancës plenare.
Tv Klan