Lajme Arkiva – TV Klan 2004

Pas skandalit të dokumentuar në portin e Durrësit me ryshfetet e marra nga uniformat blu, drejtori i policisë Bajram Ibraj ka thirrur sot një mbledhje urgjente drejtorë të ministrisë, ku ka kërkuar spastrim të menjëhershëm nga radhët blu të elementëve korruptivë. Po sot është urdhëruar shkrirja e komplet strukturës policore në komisariatin portit Durrës.

Një ditë më parë, drejtori i përgjithshëm i policisë Ibraj shkarkoi nga policia Mexhit Allarajin, Milto Nushin, Agron Memën dhe Teme Myrtaj, të katërt këta agjentë policie të cilët ishin xhiruar nga punonjës të shërbimit të kontrollit të brendshëm, duke marrë para ryshfet.

Sot paradite është komunikuar urdhri i pezullimit dhe për 12 efektivë të tjerë dhe në port kanë filluar punë policë të sapo transferuar nga komisariate të tjera. Skandali me ryshfetet dhe aferat e korrupsionit filloi ditë më parë pas denoncimit të një turisti italian, se në port janë kërkuar 10 euro.

Në mbledhjen e sotme shërbimi i kontrollit të brendshëm ka dorëzuar dhe të tjera materiale, ku janë dokumentuar raste të ngjashme ku uniformat kanë marrë ryshfet nga qytetarët, për të cilat priten dhe të tjera ndëshkime./tvklan.al

Gazetare: Aranita Brahaj