Ministri i Brendshëm, Taulant Balla inspektoi Stacionin e rikonstruktuar të Policisë Kufitare Divjakë. Ministri tha se kjo zonë mbetet një destinacion i rëndësishëm turistik, që frekuentohet nga pushues vendas e të huaj, ndaj duhet garantuar një mbarëvajtje e sezonit turistik.
“Edhe ky bashkim mes gjithë aktorëve që përfshihen në këtë proces, PSH, Shërbimi Zjarrfikës, Policia Bashkiake, në fakt e tërë bashkia, është në funksion të mbarëvajtjes së këtij sezoni turistik. Edhe pjesa që lidhet me Policinë Kufitare, ka një rëndësi të veçantë për të garantuar perimetrin e sigurisë për të gjithë pushuesit. Mjetet motorike kanë vendin e tyre duhet të respektojnë largësinë. Edhe Njësia e Bregdetit ka peshën e vet, për të garantuar sigurinë e jetës së çdo pushuesi”, tha ministri Balla.
Balla kërkoi vëmendje nga strukturat për monitorimin dhe garantimit të sigurisë në det.
Taulant Balla, ministër i Brendshëm: Duhet të garantojmë që çdo pushues që zgjedh të pushojë në bregdetin e shkëlqyer të Divjakës, të jetë i sigurt. Mos të harrojmë asnjëherë se sapo ne të mbyllim sytë, persona të caktuar janë të gatshëm të thyejnë rregullat. Besoj edhe ju i keni parë rastet që persona të caktuar hyjnë me mjete, nuk po flas për këto detaret, por për mjete rrugore, hyjnë me mjete rrugore në bregdet. Është e papranueshme, nuk duhet të tolerojmë asnjë rast. Meraku im mbetet pjesa e ‘Jet Ski-ve’, të cilat janë një problem që duhet monitoruar për të garantuar që ato të kenë vendin e vet, edhe pushuesit të vetin.
Ministri Balla ishte i ashpër ndaj zjarrvënësve dhe tha se autoritetet nuk duhet të tolerojnë asnjë rast pa ndëshkuar.
Klan News