Lajme Arkiva – TV Klan 2004
Bojkotimi i komisionit për reformën zgjedhore nga partitë e vogla, qoftë të majta e të djathta, nuk do të sjellë dështimin e komisionit, pasi do të mjaftonte edhe pjesëmarrja e dy partive të mëdha për të kryer punën për përmirësimin e kodit zgjedhor. Kjo është zgjidhja që i jep nënkryetari i PD Bamir Topi.
Bamir Topi: “Tek e fundit janë dy partitë e mëdha, që mund të vendosin veton e tyre për të bërë të mundur zhbllokimin e çdo situate që mund të krijohet në komision dhe kjo nuk është bërë me qëllim që të injorohet zëri i të vegjëlve, por duke pasur parasysh he situatat precedente”.
Gazetarja: Mund të ngrihet komisioni vetëm me përfaqësues të dy partive të mëdha?
Bamir Topi: “Natyrisht që po. Në rast se ndokush nga partitë e koalicionit do të refuzojë të marrë pjesë menjëherë ky boshllëk do të mbushet nga përfaqësuesit e Partisë Demokratike”.
Për zhvillimin e zgjedhjeve të parakohshme presioni i PS ndaj aleatëve të saj, nuk do të ishte zgjidhje e momentit për Topin, pasi fillimisht duhet të bëhen ndryshimet e domosdoshme në kodin zgjedhor, e më pas të shihej kjo mundësi.
Bamir Topi: “Ne kemi kërkuar zgjedhje të parakohshme gjithmonë, për shkak të mungesës së qeverisjes, por tani që është futur në një proces institucional, përmirësimi i kodit zgjedhor, të bëjmë këtë përmirësim dhe pastaj mund të futemi në çdo moment në zgjedhje, por gjithsesi ky është një vendim politik i partisë ku unë bëjë pjesë, por duke marrë logjikën e gjërave, që në Shqipëri nuk ka asnjë lloj shansi për qeverisje të mirë, kur kjo qeveri ka humbur kredibilitetin e saj, të përmirësojmë kodin zgjedhor dhe pastaj jemi të gatshëm për t’u futur në zgjedhje”.
Partitë e vogla kundërshtojnë të marrin pjesë në komision, pasi një pikë e protokollit i jep të drejtën e vetos dy partive të mëdha në vendimmarrje./tvklan.al