Presidenti i republikës vendos të krijojë një grup pune me ekspertë për të evituar atë që e cilëson krizë institucionale.

Mosplotësimin e vendeve vakant të Gjykatës së Lartë kryetari i shtetit e sheh me shqetësim. Duke ngarkuar me përgjegjësi kuvendin për zvarritjen në procesin e votimit të dekreteve.

Detajet e këtij vendimi i ka përcjellë në një deklarim për median, zëdhënësja e presidentit, Mimoza Koçiu.

Ajo listoi emrat në përbërje të grupit të përkohshëm konsultativ, ndër ta zv/kryetarin e Këshillit të Lartë të Drejtësisë, Spahiu, sekretarin e përgjithshëm të Dhomës së Avokatisë, Karaj, ekspertët e ligjit, Luarasi, Gjata apo Loloçi.

Në dhjetë ditë ekspertët dhe përfaqësuesit e jurisprudencës shqiptare do të asistojnë procesin e përzgjedhjes së kandidaturave për Gjykatën e Lartë.

Mimoza Koçiu: “Një ndër objektivat e këtij grupi juridik është realizimi i seancave dëgjimore në presidencë me përfaqësuesit e grupeve parlamentare, të cilët do të ftohen për të prezantuar rekomandimet mbi standardet dhe parimet e vlerësuara prej tyre, në bazë të të cilave presidenti i republikës do të bëjë përzgjedhjen e kandidatëve për gjashtë vendet vakant, i cili në mbështetje të dispozitave të kushtetutës ka ekskluzivitetin e përzgjedhjes së emrave ndërmjet kandidatëve për gjyqtarë në Gjykatën e Lartë.”

Në deklaratën për shtyp theksohen ndër të tjera se konsultimet dhe rekomandimet e faktorëve si brenda dhe jashtë sistemit nuk do të dalin në asnjë rast jashtë kornizës ligjore dhe kushtetuese.

Ky vendim i kryetarit të shtetit vjen pas rrëzimit në kuvend me votat e mazhorancës të emrave të propozuar prej tij për anëtarë të Gjykatës së Lartë, një veprim që Topi e cilësoi ekzekutim politik.

Këtë herë presidenti ka ftuar partitë në konsultime, por duke u kujdesur të theksojë se do të sugjerojnë kriteret në përzgjedhjen e kandidaturave dhe jo emrat./tvklan.al

Gazetare: Menada Zaimi