Nënkryetari i partisë demokratike Bamir Topi i quan të pavlefshme konsultat që bën kreu i shtetit Alfred Moisiu për reformën zgjedhore si me kryeministrin Fatos Nano ashtu edhe me Grupin e të Urtëve. Rezultati i takimeve të tilla jo institucionale sipas Topit nuk zgjidh problemin e procesit zgjedhor në tërësi.
Bamir Topi: “Në momenti që ju drejtoni pyetjen që ai ka mbështetjen e Nanos, domethënë janë në të njëjtën, janë sintonizuar në të njëjtën valë çka do të thotë që të dy palët bohen pastaj bashkpuntorë në keqadministrimin e zgjedhjeve. Problemi i këshillimit me të urtët është një problem thjeshtë personal nuk është një linjë institucionale, por është e drejta natyrisht e presidentit të konsultohet, por jo ta paraqesë këtë pastaj si një zgjidhje të karakterit institucional. Formula, që është dhënë, është një formulë metafizike, sepse pa u marrë në tërësi problemi i zgjedhjve në Shqipri çdo lloj propozimi do mbesi, do mbesi gjysmak.”
Numri dy i partisë demkoratike nuk sheh vetëm balancimin e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve si element të vetëm për të thënë që zgjedhjet do të bëhen të lira e të ndershme. Mungesa e konsensusit ndërmjet dy partive politike të mëdha në vend për reformën zgjedhore do të sillte probleme të shumta në zgjedhjet e ardhshme parlamentare.
Bamir Topi: “Marrja në konsideratë vetëm e një elementi që ka të bëjë me zgjedhjet nuk është zgjidhja e problemit. Ne si parti demokratike jemi më se të kjartë që reformimi totalisht i kodit zgjedhor, i infrastrukturës zgjedhore me të gjithë elementët e vet do të bëhet mbi bazën e vullnetit politik.”
Topi ka ripërsëritur idenë se në këto zgjedhje nuk mund të shkohet me Fatos Nanon kryeministër. /tvklan.al