Lajme Arkiva – TV Klan 2004
Nënkryetari i Partisë Demokratike Bamir Topi shpjegon lëvizjet e fundit në degët e PD. Topi pranon vërejtjet e shprehura nga disa igura, por jo të gjithë janë marrë në konsideratë, pasi gjithçka ka ngecur në linjën e mendimit të forumeve. Në lidhje me pakënaqësitë e deklaruara nga kryetari i degës së Durrësit Edmir Kapedani, Topi shprehet, se këto vijnë si pasojë e prekjes së interesave dhe përfundimit të mandatit.
Bamir Topi: “Unë do ta respektoja zotin Kapedani, në çdo lloj prononcimi që ai e konsideron prononcim të tij personal. Nuk besoj që gjerat në një parti politike, sikurse është PD, që ka qenë në pushtet dhe pret që të rikthehet në pushtet të bëhen objekt i medias në momentin kur preken interesat personale. Njerëzit nuk duhet të demonstrojnë pakënaqësinë, në momentin kur finalizohet mandati i tyre, nuk është as qytetare as fisnike. Në rast se ka element debati për t’u bërë, duhet të bëhen në proces, sepse në këtë mënyrë nuk lejon që të gabojë askënd, qoftë dhe kryetari i partisë, nënkryetari apo anëtarët e kryesisë”.
Procesi i përzgjedhjes së disa kryetarëve të rretheve nga shoqëria civile është bërë mbi bazën e rregullave statutore, shprehet Topi. Të aderuar si anëtarë në PD, me parametrat e duhur moral dhe intelektualë, një nga faktorët kryesorë të përfshirjes së akademikëve në strukturat drejtuese është edhe rezultati i pamerituar për PD në disa qytete të dala në zgjedhjet vendore të Tetorit, si pasojë e punës së dobët nga drejtuesit.
Bamir Topi: “Aty ku rezultatet nuk janë të mira, si pasojë edhe e mosfunksionimit korrekt të punës nëpër struktura, natyrisht që ka dhe disa lloj penalitetesh në thonjëza, që mandati i kryetarit apo kryesisë pastaj rinovohet për t’ia besuar njerëzve të tjerë, që jo vetëm që kanë qenë të pa konsumuar në një proces të tillë, por kanë demonstruar që kanë qenë më aktivë dhe mund t’i bëjnë gjërat më mirë”.
Procesi i zgjedhjeve në PD ende nuk ka përfunduar, por kjo strategji e re që sjellë hatërmbetje nga elementë të ndryshëm nuk merret parasysh nga lidershipi i PD, pasi ai i justifikon me arsyen se duhet bërë më e mira e mundshme në shërbim të marrjes së pushtetit./tvklan.al
Gazetare: Arta Tozaj