I ftuar në studion lëvizëse të “Aldo Morning Show” në Tv Klan nënkryetari i Bashkisë Tiranë, Andi Seferi foli sa i përket strehimit në kryeqytet dhe programeve sociale që ka ndërmarrë bashkia për zbutjen e këtij problemi.
Më 3 Dhjetor Këshilli Bashkiak miratoi programin për banesat sociale, për këtë Andi Seferi shpjegoi se çfarë këto banesa dhe se si do të jetë qiraja për to në varësi të të ardhurave dhe numrit të pjesëtarëve në familje.
“Problemi i strehimit tani në Tiranë është kthyer në një problem të mprehtë për të gjitha familjet e reja të cilat duan të ndërtojnë jetën e tyre në këtë qytet. Tipologjitë janë nga më të ndryshmet, e familjeve që kanë të ardhura më të pakta, e familjeve që bëjnë pjesë në shtresa në nevojë, pra tipologjia e këtyre familjeve është e ndryshme. Në funksion të tipologjisë të këtyre familjeve, bazuar dhe në një ligj që është i vitit 2018. Ligji 22 që e kthen në një detyrim ligjor strehimin, Bashkia e Tiranës ka 3 programe sociale për sa i përket zbutjes së këtij problemi të mprehtë. E para do të thoja pikërisht kjo që u miratua në 3 Dhjetor është për banesat sociale, që janë banesa të cilat ndërtohen nga Bashkia Tiranë dhe u jepen familjeve të cilat kanë një lloj të ardhure për të paguar një qira. Qiraja varion nga tipologjia e të ardhurave dhe nga numri i të ardhurave, por është një qira sociale. Është një qira e zbutur do të thoja. Ajo që doja të theksoja është se këto lloj banesash ngelen pronë e Bashkisë së Tiranës, pra nuk jepen. Është pronë e bashkisë, por unë e përdor për aq kohë sa kam nevojë. E dyta, pikërisht kjo mbledhje përgatiti terrenin e duhur ligjor që sipërfaqe të ishin pronësi e bashkisë iu dërguan Këshillit të Ministrave për t’u miratuar si zonë që ne do e zhvillojmë nëpërmjet këtyre banesave dhe kjo është tipologjia e parë,” tha nënkryetari i Bashkisë Tiranë.
Më tej gjatë fjalës së tij ai sqaroi kategorinë që do të përfitojnë nga kreditë e buta dhe se sa do të jetë numri i familjeve të cilat do të aplikojnë këtë vit.
“Aplikimet hapen për kreditë e buta që është tipologjia e dytë e programeve sociale. Kreditë e buta, Bashkia Tiranë subvencionon, masën e përqindjes të interesit të këtyre kredive, por praktikisht njihet si kredie butë. Ky është një program që ka filluar më herët dhe që nga viti 2015 dhe deri më sot kanë përfituar 3500 qytetarë shtëpi, kredi të buta. Ajo që ndodh është se pavarësisht se u miratuar pjesa e subvencionimit të kredive, tani do të fillojë hapja për aplikimin nga ana e qytetarëve sepse deri më sot edhe çmimet e banesave kanë ndryshuar dhe nuk do të ishte e ndershme që Bashkia Tiranë të ofronte tipologji kredie me të cilat nuk mund të blije dot apartamentin përkatës. Në këtë këndvështrim jemi duke pritur indeksimin nga enti i banesave në mënyrë që nëse një familjeje i takon një dhomë dhe një kuzhinë që kushton x lekë dhe kredia të jetë në këto nivele në këto parametra dhe ky është projekti i dytë social.
Kësaj radhe ne kemi vendosur të hapim 1200 kredi, do të sistemohen 1200 familje. Për kriteret unë do të thoja janë prioritet më shumë se sa kritere sepse për kriteret mund të aplikojnë të gjithë qytetarët të cilët nuk kanë një banesë të tyren në pronësi. Kurse me prioritet fillojmë nga familjet deri në 40 vjeç, pra ne ngritën atë nivelin nga 35 deri në 40 vjeç. Janë familjet rome ose të komunitetit egjiptian, janë dhe gratë të cilat kanë një status të veçantë nga gjykata pra nëna të dhunuara,” përfundoi Andi Seferi./tvklan.al