Janari është afati që Banka e Kursimeve ka deklaruar për të nisur kreditimin. Kjo është sfida e drejtorit Ardian Kamberi, i cili ka marrë dhe konsensusin e Ministrisë së Financave.
Ardian Kamberi: “Në qoftë se në Dhjetor për shumë arsye mund të mos kemi një privatizim, atëherë në Janar të vitit 2004 duhet që banka te fillojë procesin e kreditimit, pasi banka ka përgatitur të gjitha kapacitetet”.
Banka e Kursimeve nuk krediton prej 5 vjetësh. Banka e Shqipërisë vendosi ndalimin e kreditimit për shkak të rritjes së kredive të pashlyera që cënonin vlerën e Bankës së Kursimeve para privatizimit. Fondi Monetar Ndërkombëtar ka qënë i prerë për të mos lejuar kreditimin e bankës më të madhe në vend deri në privatizimin e saj, për të mos rrezikuar, ndërkohë që disa muaj më parë guvernatori dhe kryeministri deklaruan idenë e kreditimit me projekte pilote.
Gjithsesi sfida më e afërme në kohë për Bankën e Kursimeve është privatizimi. Tenderi i hapur ndërkombëtar do të zhvillohet në fund të vitit, oferta e Raiffeisen Bank për Bankën e Kursimeve sygjeron menaxhim për 100 ditë të bankës për të ngritur vlerën në treg. Drejtori Kamberi mendon se për një ofertë të tillë ja vlen të ndryshohet edhe ligji i privatizimit.
Ardian Kamberi: “Ligji i privatizimit është funksion i privatizimit, unë nuk shikoj asgjë tabu, pra edhe rishikimin e ligjit unë do ta shikoja një proces fare normal”.
Zyrtarët kanë paraqitur skenare rezervë në rastin e mosprivatizimit të bankës më të madhe në vend, duke shprehur pasiguri për privatizimin e saj edhe në kushtet ku tregu botëror është jooptimist pas luftës në Irak./tvklan.al