Lajme Arkiva 2003

Banka e Shqipërisë ka nisur fushatën për shmangien e rritjes spekulative të çmimeve në fund të vitit. Rritja e çmimeve në fundvit sipas ekspertëve vjen si pasojë e traditës shqiptare për të konsumuar më tepër në këtë sezon.

Një gjë e tillë rrit kërkesën e cila shoqërohet me spekulime të çmimeve nga tregtarët. Disa sondazhe mendojnë se rritja e çmimeve vjen kryesisht nga tregtarët e vegjël dhe të mesëm meqenëse ata janë edhe më pak të kontrolluarit nga  shteti në pikëpamjen e taksave, ndërkohë që ekziston edhe mendimi se mungesa e konkurrencës së pastër dhe ekzistenca e monopoleve në treg për disa produkte bën të mundur rritjen spekulative në mënyrë të organizuar.

Guvernatori i bankës së Shqipërisë Shkëlqim Cani ka organizuar hapjen e kësaj fushate në një mbrëmje debat.

Shkëlqim Cani: Qëllimi i fushatës është në radhë të parë transparenca, në radhë të dytë është edukimi i publikut, në radhë të tretë është ndërgjegjësimi, në radhë të katërt është përgjegjësimi i të gjithë aktorëve. Unë përmenda publikun, por brenda përfshij konsumatorin, tregtarin, biznesmenin, prodhuesin dhe shtetin./tvklan.al