Lajme Arkiva – TV Klan 2003

Stepja e investimeve private ka bërë që të rriten ndjeshëm depozitat në lekë. Gjatë 5 muajve të parë të vitit në bankat e nivelit të dytë është dyfishuar rritja e depozitave bankare në lekë. Me 17.5 miliardë lekë janë rritur depozitat gjatë këtij viti, ndërkohë që për të gjithë vitin e kaluar depozitat në lekë u rritën vetëm me 7.7 miliardë.

Njëra nga arsyet që parashtrojnë bankierët është stepja e investimeve private dhe shtyrja e këtyre investimeve në një kohë më të përshtatshme. Burimet bankare shpjegojnë, se rritjet më të shumta janë vërejtur në depozitat aktuale dhe jo në shtimin e numrit të tyre. Interesat e larta dhe favorizuese të depozitave në lekë, janë në tjetër arsye e këtij fenomeni.

Ndërkohë që shqiptarët duhet të kenë ndërruar zakon, e të kenë braktisur monedhën e ashtuquajtur të fortë dollarin pas luhatjeve të pazakonta pas luftës në Irak. Sipas Bankës së Shqipërisë, rritja e depozitave në lekë ka pasur dhe efekte pozitive për sistemin që tashmë ka kaluar gjendjen e mungesës së likuiditetit./tvklan.al