Lajme Arkiva – TV Klan 2003

Banka Kombëtare Tregtare ka çelur sot një degë të re të përfaqësimit të saj në tregun bankar të kryeqytetit. Bëhet fjalë për zyrat e reja Tirana 4, të cilat ndodhen në Laprakë. Kjo bankë është më e madhja bankë private në Shqipëri dhe një nga bankat me ritme më të shpejta të rritjes. Kështu ajo ka një rrjet prej 15 degësh në të gjithë vendin.

Drejtori i përgjithshëm i kësaj banke thotë, se zgjerimi me pesë degë të reja gjatë këtij muaji ka qenë pjesë e strategjisë ambicioze të kësaj banke, për t’u ofruar klientëve shërbimin e komunikimit online, si dhe lehtësira të tjera për produktet e kredisë. Dega e sapo hapur është një nga pesë degët e reja, që do të hapen në qytete të ndryshme të vendit, duke përfshirë Pogradecin, Fierin, Sarandën etj.

Depozitat e klientëve të kësaj banke, në fund të muajit Gusht, arritën shifrat e 271 milion dollarëve amerikanë dhe kredia ndaj klientëve në 22 milion dollarë./tvklan.al