Problemet aktuale me të cilat po përballen bankat ndërkombëtare mund të kenë pasojat e tyre në Evropën Lindore, paralajmëron në analizën e saj Banka Qendrore Austriake të publikuar në The Guardian.
Sipas saj kapitali në ekonomitë në rritje nga Evropa e Mesme dhe Lindore do të mund të ndalet menjëherë nëse bankat e huaja, të cilat dominojnë në këtë rajon, ballafaqohen me probleme në rifinancim.
Sipas të dhënave një numër i vogël grupesh financiare të Evropës Perëndimore zotërojnë një numër të madh bankash në vendet lindore të kontinentit, tre prej tyre janë austriake.
Zinxhiri i institucioneve financiare shoqërohet me rrezikun e një efekti domino, pra zgjerimit të krizës nga një vend në tjetrin.
Megjithatë për momentin nuk janë parë shenja të kësaj krize thotë studimi. Rrjedhja e kapitalit ka shënuar një rritje të fortë, bizneset po ecin mirë, megjithatë gjithçka do të varet nga fuqia financiare e grupeve kryesore dhe simotrave të tyre.
Nëse ato goditen nga kriza, pasojat do të jenë të pashmangshme. Pavarësisht studimit, kreu i departamentit të qëndrueshmërisë financiare të kësaj banke, Filip Reading, ka shprehur besimin se kjo pjesë e Evropës do të mbetet rajoni me zhvillimin më të shpejtë dhe me perspektivën më të mirë për biznes për të gjitha bankat e huaja./tvklan.al
Gazetare: Urita Dokle