Ardian Fullani: “Këshilli mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë vendos të ulë me 0.5 pikë përqindje normën bazë të interesit. Sistemi bankar shqiptar duhet të kuptojë drejt rolin e tij për të transmetuar të plotë dhe me shpejtësi këtë lehtësim të politikës monetare në ekonomi.”
Teorikisht, ulja e normës bazë të interesit për lekun duhet të sjellë kredi më të lira për qytetarët dhe biznesin.
Bankat tregtare në vend thonë se po studiojnë mundësinë e përcjelljes së kësaj politike monetare të Bankës së Shqipërisë, në uljen e interesave për huatë në lek, por pa dhënë afate kohore.
Sipas drejtorit të përgjithshëm të Tirana Bank, Dimitris Santixis, një veprim i tillë kushtëzohet edhe nga niveli i interesave të depozitave.
Dimitris Santixis: “E përshëndes këtë vendim të bankës qendrore, mendoj se ai i vjen në ndihmë situatës ekonomiko-financiare të vendit. Sigurisht ky ndryshim i normës së interesit nga Banka e Shqipërisë do të ndikojë në uljen e interesit të kredisë në lek në të ardhmen, por kjo nuk është një gjë e lehtë, ajo do të varet edhe nga ulja e normës së interesit për depozitat që unë e dëshiroj të ndodhë, por këto të dyja shkojnë bashkë. Ne do të vazhdojnë të mbështesim kredidhënien.”
Kreditë më të lira janë një frymëmarrje për ekonominë, pasi rrisin nivelin e likuiditetit dhe ulin koston e financimit.
Për kreun e Konfindustrisë, Gjergj Buxhuku vendimi i Bankës së Shqipërisë është i drejtë dhe mund të ishte ndërmarrë edhe më parë.
Gjithsesi, Buxhuku është skeptik në një reagim të shpejtë të bankave tregtare në lidhje me uljen e normës së interesit për kredidhënien.
Gjergj Buxhuku: “Është shumë e rëndësishme që kjo lëvizje monetare e bankës qendrore duhet të pasqyrohet në politikat e kreditimit të bankave të nivelit të dytë. Pra që klientët, bizneset dhe qytetarët të kenë mundësinë të marrin kredi në lek me kushte më të lehtësuara se tani. Përvoja e deritanishme ka treguar që në mjaft raste nuk është pasqyruar për një periudhë të gjatë kohe. Kështu që unë mendoj që tashmë vetë sistemi jonë bankar duhet të rrisë cilësinë e menaxhimit të vetvetes.”
Por ulja e mundshme e interesave për kredinë në lek mund të mbarte edhe efekte negative, që sipas Konfindustrisë lidhen me zhvleftësimin e mëtejshëm të monedhës kombëtare dhe rritjen e kredive të këqija në sistem./tvklan.al
Gazetar: Fjorald Zguro