Mund t’i tërheqin dinarët e ofruara nga shteti serb pranë kufirit
Banka e Serbisë ka hapur katër degë të reja në afërsi të pikëkalimeve kufitare me Kosovën në Jarinjë, Bërnjak, Konçulj dhe Merdarë ku serbët e Kosovës mund t’i tërheqin dinarët e ofruara nga shteti serb.
Nga ndalimi i hyrjes së monedhës së dinarit serb në Kosovë serbët u detyruan të udhëtonin qindra kilometra deri në degët më të afërta të bankave në Serbinë qendrore në Rashkë, Novi Pazar, Kurshumli, Vranjë duke shpenzuar para të konsiderueshme për udhëtim.
Çdo ndërtesë është e pajisur me një bankomat në funksion 24 orë në ditë, shtatë ditë në javë, për tërheqjen e dinarëve. Aty serbët do të mund të kryejnë të gjitha veprimet bankare: tërheqje të pagave, pensioneve, ndihma financiare sociale dhe të ardhurave të tjera.
Kjo zgjidhje teknike, shihet si e përkohshme, derisa të vendoset funksionimi normal i transaksioneve të pagesave në zonat me popullatë serbe në Kosovë.
Këto lëvizje vijnë pasi, Banka Qendrore e Kosovës nisi zbatimin e rregullores që përcakton që euroja të jetë valuta e vetme për transaksionet e pagesave në këtë shtet.
Dogana e Kosovës, ka ndaluar hyrjen e makinave në ngarkesa me dinarë nga Serbia në Kosovë.
Bashkësia ndërkombëtare shprehu shqetësimin për ndalimin e dinarit mund të ketë ndikim negativ tek serbët e Kosovës dhe se mund të rrisë tensionet etnike.
Për Kosovën çështja e dinarit është çështje e brendshme teknike, ndërsa Serbia ngul këmbë që kjo çështje të zgjidhet në dialogun e Brukselit.
Klan News