Ka nisur prishja e banesave tek “5 Maji”. Procesi është shoqëruar me kundërshti nga ana e banorëve që janë kundër vendimit të Bashkisë së Tiranës.
Banorët janë ngjitur mbi tarracat e shtëpive të tyre dhe kanë hedhur gurë drejt policisë. Uniformat blu janë kundërpërgjigjur duke hedhur gaz lotsjellës.
Ditën e sotme pritet që të të prishen 12 banesa.
Kujtojmë që më herët banorët kanë protestuar disa herë para parlamentit duke kërkuar që të mos prishen banesat. Madje mes tyre dhe kryeministrit Edi Rama ka pasur një takim në ambientet e Kuvendit.
Për zhvillimet e mëngjesit të sotëm një reagim kishte edhe ish-Kryeministri Sali Berisha.
“Dënoj me ashpërsinë më të madhe dhunën dhe terrorin e egër policor ndaj banorëve që mbrojnë shtepitë e tyre! Krim i shëmtuar!”, shkruajti ai në një postim në rrjete sociale.
Ndërkohë mësohet se gjatë përplasjes me banorët 8 efektivë policie, 5 prej të cilëve të Policisë së Shtetit dhe 3 të Policisë Bashkiake janë dëmtuar.
“Ata kanë marrë dëmtime nga sende të forta dhe lëndë djegëse dhe ndodhen në Spitalin e Traumës, duke marrë ndihmën mjekësore”, thuhet në një njoftim.
“Policia e Tiranës ka shoqëruar disa persona në Komisariat. “Policia e Shtetit apelon për këdo të ndalë e shmangë aktet e dhunës mbi forcat e rendit, në të kundërt do të përballen me forcën e ligjit”, thuhet në njoftim.
Pas ndërhyrjes së FNSH mësohet se është normalizuar situata dhe autoritetet kanë krijuar mundësinë për vijimin e shembjeve./tvklan.al