Lajme Arkiva – TV Klan 2004

Vetëm dy ditë pasi qeveria miratoi projektligjin për legalizimin e zonave informale, banorët në një nga këto zona, nuk janë shumë entuziast për këtë vendim. Banorët e Bathores pretendojnë se kanë paguar njëherë për truallin ku kanë ngritur banesat e tyre. Ata shprehen se nuk duan të bëjnë kontratë shit-blerje me pronarin e truallit. Sipas tyre këtë punë duhet ta zgjidh shteti.

Qytetari 1: “Duke parë katandisjet e këtij vendi këtu, ne po pijmë ujë kanali pastaj hajde të paguajmë edhe truallin. Jena dakord ta paguajmë, por kur të plotësohen të gjitha kushtet”.

Qytetari 2: “Mendoj që duhet një ndërhyrje e shtetit. Marrja vesh e këtyre njerëzve, e këtij komuniteti me shtetin është në formën e një kreditimi, sepse është i paaftë populli për ta përballuar këtë gjendje aktuale”.

Qytetarja: “Ne jemi në fshat, ne s’kemi terezi që të pagujmë 300 metrat e truallit, se s’kemi bukë me hongër sot na, ne paguhemi me 20 mijë lekë asistencë, a e ke parasysh, 20 mijë lekë asistencë ça të na dali ne që jemi 10 vetë në shtëpi?”

Në projektligjin e miratuar nga Këshilli i Ministrave saktësohet, se nëse nuk arrihet një kontratë midis pronarit të truallit dhe shtetasit që kanë ndërtuar objektin në të njëjtën tokë, atëherë pronari i tokës do të kompensohet nga shteti, në bazë të ligjit për kthimin dhe kompensimin e pronave./tvklan.al

Gazetare – Danjela Kostandini