Banorët e fshatit Fortuzë të Vaqarrit kanë protestuar rreth aktivitetit të Fabrikës së Lëkurës të ndodhur në zonën e tyre. Ky aktivitet ka ndotur ajrin dhe ujin e lumit Erzen që kalon këtu. Acidet që përdoren për rrjepjen e lëkurëve sipas tyre i’u kanë shkaktuar dëmtime edhe në shëndet. Fabrika është pronë italo-shqiptare dhe prej 6 muajsh është vendosur këtu pasi është shkëputur nga fshati Bërxullë dhe kjo për shkak të protestave të vazhdueshme të banorëve të kësaj zone.
Banori 1: Jemi shtruar në spital për këtë punë. Rrimë me dyer të mbyllura dhe nuk ha dot bukë se sa herë ha bukë vjell, nga era e keqe. Më ra një herë të fikët nga era e keqe. Medoemos të paktën të zbatohen disa ligje të shtetit.
Banori 2: Ka qenë i sëmurë për një a dy javë. Ja këto janë problemet. Problemi kryesor është se ne jemi në një zonë të mbytur në lëndë toksike që fillon nga plehrat e Sharrës që shtrihet këtu as një kilometër larg nesh, një fabrikë zifti që prodhon inerte për ndërtime rrugësh, asfaltimi dhe kjo fabrika që erdhi tani ka 6 muaj.
Banori 3: Kërkojmë që të mbyllet, mos ti hedhin mbeturinat në lum. Sepse bagëtitë nuk e pinë., fëmijët janë larë në lum dhe kanë marrë infeksion, gratë vijnë lajnë rrobat dhe kthehen pas pa i larë. Nuk kemi ku të lahemi, lumi është i të gjithë popullit nuk është i një fabrike.
Por pala italiane pretendon se nuk është kjo arsyeja e protestës. Përfaqësues të saj gjithçka e bazojnë te arsyet e pronësisë. Firmat disponojnë licencën për ushtrimin e këtij aktiviteti.
Përfaqësuese e fabrikës: Është një erë e zakonshme e fabrikës, që nuk është e dëmshme për shëndetin e popullit, si gjithë fabrikat e tjera. Këtu ka probleme me pronësinë e tokës, jo probleme të kësaj natyre. Meqenëse problemi është në gjykatë në ndjekje, ndoshta këta njerëz janë të paduruar dhe e bëjnë këtë për mbylljen e fabrikës duke nxjerrë pretendime nga më të ndryshmet./tvklan.al