Gazetarja: “Kjo është shtëpia e familjes Guri, e cila po e ringre banesën e saj vetëm pak metra larg gardhit që shënjon edhe zonën e rrezikshme në Gërdec, por duket se vizita e ambasadorit amerikan në Tiranë ka ngritur një dilemë të madhe, një dilemë që tingëllon e rrezikshme për këta banorë nëse duhet apo jo ta ringrejnë banesën vetëm pak muaj larg shpërthimit tragjik në Gërdec”.

Dyshime që u ngritën pas deklarimit të ekspertit amerikan, Xhon Napoletano, i cili paralajmëroi rrezikun potencial për shpërthim.

John Napoletano: “Kjo sasi municionesh duhet të largohet që këtej pasi përbën rrezik për shpërthim”.

Ambasadori amerikan, zyra e të cili organizoi takimin në Gërdec, tha se megjithëse kanë kaluar 20 javë nga shpërthimi, mbetet shumë punë për t’u bërë.

John Withers: “Nuk kemi qenë në gjendje të largojmë këto municione në një vend grumbullimi që plotëson standardet e NATO-s. Është emergjente të lëvizim në këtë drejtim. Besojmë se bashkëpunimi ynë do të arrijë objektivin që duam. Ministri Oketa është përkushtuar për të pastruar dhe siguruar zonën”.

Bashkëbisedimi me ambasadorin amerikan dhe ministrin Oketa duket se u krijoi paqartësi të reja banorëve nëse duhet apo jo të vazhdojnë të ngrenë shtëpitë e tyre.

John Withers: “Opinioni im është se kjo zonë nuk është bërë ende e sigurt dhe po ndërtoni shumë pranë materialeve ende të rrezikshme.”

“Po ne kemi pyetur për këtë punë, na kanë thënë ndërtoni”.

“Unë ty po të shoh në dyshime. Këtë po ta them troç në sy. Pra, ti nuk je i sigurt vetë si person që thu këtu është e garantume”.

Gazmend Oketa: “Si ministër mbrojtjeje unë mund të garantoj që nuk ka më shpërthime të tjera. Ka një lloj rreziku tjetër që është rreziku ambiental. Theksoj dhe një herë në momentin që flasim bashkë nuk është bërë prezente asnjë lloj analize që dëshmoi që ka ndotje ambientale. Përsa i takon rrezikut nga shpërthimet në bazë të ekspertëve tanë nuk ka rrezik”.

Shpërthimi i Marsit të këtij viti në Gërdec u mori jetën 26 personave mes qindra të tjerëve të plagosur.

Në këtë zonë vihet re përpjekja e banorëve për të rindërtuar jetën, por sot pesë muaj pas tragjedisë dhe ku shumë prej shtëpive janë ringritur shteti nuk di ende të thotë nëse jetohet apo jo në Gërdec./tvklan.al

Gazetare: Menada Zaimi