Banorët e Kombinatit janë përplasur me policinë bashkiake pasi nuk kanë pranuar prishjen e një rrethimi të ndërtuar nga vetë ata për vetë mbyllur një kanal kullues. Policia bashkiake e ka argumentuar prishjen e këtij rrethimi me ndërtimin e një rruge. Ndërkohë që banorët i akuzojnë ata për ushtrim dhune dhe tejkalim kompetencash.

“Mua më tërhoqën zvarrë, se unë po rrija para fadromës, nuk lejoja që të ndërhynin”.

“Më kapën me grushta mu dhe djalin tim, na futën me zor në fugon, urdhëro dhe shenjat”.

“Makina e policisë bashkiake, më morën i thashë! A e kuptoni çfarë po bëni? Se e kam pronë private, është me certifikatë e me të gjitha. Thanë nuk ka problem do të marrim do të lejmë aty me një vend, më lëshuan në një vend, më plasën aty si një top futbolli mund të thuash, zbrit këtu dhe unë jam i pambrojtur fare as nga një”.

Kryetarja e njësisë bashkiake nr 6, Luzhiana Abazi, thotë se nuk është në dijeni të ndonjë projekti të ndërtuar në ndonjë rrugë në atë zonë dhe e cilëson veprimin e policisë bashkiake si tendencioz.

Luzhiana Abazi: “Nuk ka absolutisht asnjë projekt, as ne nuk kemi bërë propozim, as vetë nga zoti Rama nuk di të ketë ndonjë projekt për këtë rrugë. Kur këtu janë dy rrugë kryesore, nuk e kuptoj për çfarë duhet kjo rrugë këtu. Unë me këta banorët sot do ndërtoj këtë mur dhe po të dojë … me urdhër të Ramës le të vij ta prishi prapë”.

Qytetarët sqarojnë se në atë vend nuk ka ekzistuar asnjëherë ndonjë rrugë dhe se asnjë prej tyre nuk ka kërkuar ndërtimi e ndonjë tjetre në këtë vend./tvklan.al