Lajme Arkiva – TV Klan 2004

Rreth 500 prona në zonën e quajtur pranë Unazës së Re, rrezikojnë të prishen nga fadromat. Prej 5 ditësh ka filluar prishja e tyre, çka ka shkaktuar dhe revoltë për banorët, të cilët pretendojnë se u është premtuar në fushatë, se do të legalizohen ndërtimet, përveç 17 metrave të gjerësisë së rrugës. Sipas tyre, tani prishjet kanë vijuar deri në 25 metra në thellësi.

Banori: “Unë dokumentin e pronësisë e kam të rregullt, e kam marrë tek hipoteka, me vendim gjyqi, kam bërë dhe gjyq dhe si përfundim mua tashti më thonë, ec edhe 22 metra dhe nuk dihet se ku do vejë, sepse këtu thonë se do bëhen pallate.”

Në takim me deputeten e zonës, banorët kanë parashtruar kërkesat e tyre për legalizim të rregullt, duke kërcënuar se do të protestojnë duke bllokuar dhe rrugën.

Monika Kryemadhi: “Këta njerëz e kanë ndërtuar shtëpitë e tyre me mundime, me djersën e ballit me gjithë pronat e tyre që kanë pasur në çdo cep të Shqipërisë që i kanë shitur dhe kanë arritur këtu dhe kanë ndërtuar këto shtëpi. Këta njerëz e kanë votuar jo vetëm Partinë Socialiste dhe bashkinë e Tiranës, por e kanë votuar me shumicë mbi 50% të votave. Janë nga këta njerëz me premtimet që ju është bërë për legalizimet. Kështu që kjo është edhe një nga obligimet e mia ç’rëndësi ka se e kujt force politike jam unë.”

Deputetët e pranishëm u kanë thënë banorëve të realizojnë një peticion, e t’u drejtohen gjykatave për pezullimin e shkatërrimit, deri në përfundim me problemin e ligjit të legalizimit.

Dritan Prifti: “Këtë radhë komploti ndaj këtyre njerëzve po bëhet edhe nga Nano dhe nga Berisha. Edhe Nano dhe Berisha janë për këtë ligj skandaloz që ka ardh tani në parlament, komisioni i ligjeve edhe anëtarët e PD edhe të PS, janë për të miratuar ligjin në këtë variant siç është, pra të bëhet një urabnizim, të prishen njëherë shtëpitë e këtyre, dyqanet, ato që kanë ndërtuar dhe pastaj të bëhet legalizimi.”/tvklan.al

Gazetare: Aranita Brahaj