Në Janar të vitit 2017 emisioni “Stop” udhëtoi drejt Burrelit, pasi spitali “Xhavit Mara” kishte 6 muaj pa mjek gjinekolog. Që nga 1 Gushti 2016, vendlindja e banorëve më të rinj të Burrelit është Tirana ose Lezha.
Drejtori Dritan Leli tha se Ministria e Shëndetësisë ishte vënë në dijeni për mungesën e mjekut obstetër/gjinekolog, por nuk ishte gjetur ende një zgjidhje.
“Drejtoria jonë ka marrë të gjitha masat, duke kontaktuar me shkresa zyrtare me Ministrinë, duke njoftuar për të gjithë problematikën dhe jemi përpjekur vetë, duke kontaktuar mjekë të ndryshëm, por deri në këtë moment nuk kemi patur një reagim pozitiv.”
Përsa i përket riskut të pacientëve që duhet të udhëtojnë drejt Lezhës apo Tiranës për t’u ekzaminuar, ai u shpreh se banorët e Burrelit janë vënë në dijeni nëpërmjet televizionit lokal që të marrin masa paraprake sepse spitali nuk ka mjekun obstetër.
Drejtori Leli asokohe i bëri thirrje të gjithë mjekëve që të bëheshin humanë dhe të ndihmonin spitalin, duke iu premtuar kushtet më të mira të bashkëpunimit deri në gjetjen e një mjeku stabël.
Gazetarja e emisionit “Stop” u rikthye në muajin Tetor të vitit 2017 në Burrel për të parë nëse shqetësimi do të ishte zgjidhur dhe spitali “Xhavit Mara” do të kishte një mjek obstetër/gjinekolog.
Kryeinfermierja Eglantina Bushi tregoi se spitali prej disa kohësh e kishte një mjeke obstetre dhe disa mami, të cilat ofrojnë shërbimin në sallën e lindjes vetëm kur janë raste emergjente, pasi mjekja nuk pranon lindjen për shkak të kushteve të spitalit.
“Doktoresha nuk ka preferuar të bëjë operacione apo lindje për arsyet që i ka thënë vetë…”,
tha kryeinfermierja e maternitetit.
Këtë e pohoi edhe shefi i spitalit, Selam Duka, i cili tha se mjekja obstetre, Tatjana Milo, kishte ardhur nga Ministria e Shëndetësisë dhe listoi pretendimet e saj.
“E para: ‘Unë lindjet i pres pa asnjë problem, ndërsa lindjet që mund të kenë peripeci nuk pres asnjë. Dua mjek tjetër obstetër, që të jemi dy veta, dua një mjek neonat, që përgjigjet për fëmijën pasi lind. Dua dhe sallën e operacionit gati se mund të na ndodhë çdo gjë. E dyta: ajo nuk ka marrë përsipër shërbimin 24 orësh në rrethin e Matit, pasi pas orës 16:00 ajo shkon në shtëpi në Tiranë. Kështu që në pothuajse jemi të pambuluar, 16 orë plus të shtuna dhe të diela.”
Duka u shpreh se spitali nuk mund të qëndrojë pa mjek obstetër. Pra, nevojitej sërish ndihma e Ministrisë së Shëndetësisë, pasi shërbimi i spitalit duhet të ofrohet në çdo ditë e orar të mundshëm. Gjithashtu, ai shtoi se duhet të investohet për sallën e lindjeve sepse kushtet janë të papërshtatshme për lindjen e një foshnje.
Por gazetarja e emisionit “Stop” nuk e la me aq… Ajo u rikthye sërish ditën e sotme për të marrë më në fund një lajm të mirë. Materniteti “Koço Gliozheni” ka marrë në patronazh maternitetin e Burrelit, duke bërë të mundur që dy mjekë të shkojnë dhe të ofrojnë shërbimin e tyre 24 orë në mënyrë vullnetare.
Ajo u shpreh:
“Mesa duket apeli jonë këtë herë nuk ka rënë në vesh të shurdhët! Kjo falë solidaritetit të mjekëve të maternitetit “Koço Gliozheni”.
/ tvklan.al