Pas paraqitjeve të tyre të shkëlqyera me Spanjën në Euro24, ku u shpallën kampionë, Nico Ëilliams dhe Dani Olmo janë ende në pritje të zgjidhjes për të ardhmen e tyre.
Ndërkaq është vënë në lëvizje klubi i Barcelonës për të dy lojtarët. Drejtori teknik Deco ka intensifikuar kontaktet dhe në 24 orët e fundit ai është takuar me përfaqësuesit e dy futbollistëve.
Nga këto takime, Deco ka kuptuar dëshirën e dy të rinjve për të veshur fanelën e Barcelonës.
Nico Williams ka një klauzolë prej 58 milionë Eurosh me Athletic Bilbao, një shifër që edhe pse e rëndësishme, nuk e bën klubin katalanas të lërë pas dore Olmo, të cilin e shohin një mundësi të madhe për të përforcuar skuadrën.
Barça shpreson të negociojë me Leipzig për Olmon, i cili ka një klauzolë prej 60 milionësh që është e vlefshme deri të shtunën e ardhshme.
Zyrtarët janë të gatshëm që në përfundim të afatit do të bëjnë ofertën e tyre për klubin gjerman që gjithsesi do të jetë më pak se 60 milionë Euro.
Klube si Manchester City, Bayern Munich dhe Atlético de Madrid kanë trokitur në derën e Olmos, por është lojtari që ka fjalën e fundit. I rritur në akademinë e Barcelonës ai duket i gatshëm për t’u kthyer në klubin katalanas.
Tv Klan